E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ “numëron” votat me kamera në Tiranë

 

Numërimi i votave për herë të parë në Shqipëri do të ndiqet përmes kamerave. Kjo do bëhet e mundur përmes një sistemi kamerash që do të fillojnë në kohë reale numërimin e votave në çdo kuti dhe qendër votimi. Dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi prova gjenerale për një nga 66 Qendrat e Numërimit të Votave në Tiranë. Në palestrën e shkollës “Hasan Prishtina” kompania që ka fituar konkursin për monitorim televiziv të procesit të numërimit të votave, kishte instaluar këtë sistem. Inspektimin e këtij projekti e bëri vetë dje kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Pas mbërritjes së kutive të votimit në Qendrën e Numërimit të Votave, ku në Tiranë do të ketë 14 të tilla, do të nisë dhe numërimi i votave. Kutia do të hapet në një tavolinë ku mbi të është instaluar një kamera, e cila filmon fletët e votimit një e nga një, duke bërë të dukshme preferencën e votuesit për koalicionin dhe partinë politike. Fleta e votimit që filmohet, transmetohet në dy monitorë të mëdhenj për çdo tavolinë ku numërohen votat. Vëzhguesit e partive ndjekin procesin e numërimit përmes monitorëve dhe mund të ndërpresin procesin për çdo dyshim me një ngritje dore. Njëkohësisht këto pamje ndiqen nga KQZ-ja, e cila përmes monitorëve të vendosur në ambientet e saj mund të vëzhgojë procesin e numërimit të votave on line nga 66 vendet e numërimit në të gjithë vendin. Gjithashtu një kamera e cila vëzhgon në një rreze 360 gradë, monitoron të gjitha tavolinat ku zhvillohet numërimi, por dhe të gjithë sallën ku kryhet procesi. Montimi i kamerave ka nisur të montohet në të gjitha vendet e miratuara nga PQZ, ku do të bëhet numërimi i votave. Deri tani mësohet se janë vendosur pajisjet në Elbasan, Librazhd dhe në dy qendra në Tiranë. Albtelekom ka garantuar linjën e internetit përmes fibrave optike, ndërsa kompania e monitorimit të numërimit të votave ka marrë të gjitha masat përmes invertërve që energjia të mos mungojë nga kamerat dhe monitorët. Projekti i kamerave i ka kushtuar buxhetit 1.5 milionë euro.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›