E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, qeveria zgjat orarin e aplikimit

 

ADI SHKEMBI

Kur ka mbetur edhe një javë kohë për të aplikuar për t’u pajisur me kartat e reja të identitetit, zgjatet sërish orari i punës për zyrat e gjendjeve civile. Qeveria bën të ditur se në ndryshim nga sistemi aktual kur zyrat janë të hapura deri në orën 21:00, duke filluar nga dita e hënë ato do të punojnë edhe 60 minuta më shumë. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, tha dje në një konferencë për shtyp se të gjithë qytetarët që nuk kanë pasaportë dhe nuk kanë aplikuar ende, duhet të paraqiten pranë zyrave të aplikimit për t’u pajisur me dokumentin e ri. Sipas tij, kompania koncensionare ka të gjitha kapacitetet që deri në 15 qershor të aplikojnë të gjithë qytetarët që nuk kanë pasaportë. “Nga e hëna, orari i zyrave për aplikim dhe tërheqjen e letërnjoftimeve elektronike në të gjithë vendin do të jetë nga ora 08:00 e paradites, deri në orën 22:00 të mbrëmjes, në të gjitha ditët e javës, përfshirë edhe të dielën. Janë të gjitha mundësitë që çdo qytetar pa pasaportë që do të aplikojë brenda datës 15 qershor, të pajiset me letërnjoftimin elektronik”, u shpreh Nishani. Duke iu referuar shifrave të qytetarëve që u janë përgjigjur deri tani thirrjes për të aplikuar, kreu i dikasterit të Brendshëm bëri të ditur se më shumë se 1.2 milionë qytetarë janë paraqitur tashmë për të aplikuar. “1.253.360 qytetarë kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik. Deri dje të paktën 767.190 qytetarë kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike”, vijoi më tej Nishani. Duke vënë theksin pikërisht te këto shifrave, por edhe pjesëmarrjes në proceset e fundit elektorale, ministri i Brendshëm bëri të ditur se pjesëmarrja nuk shkon më shumë se 1.38 milionë qytetarë. “Nisur nga afati kohor prej dy javësh i mjaftueshëm për prodhimin e letërnjoftimit elektronik, afati i fundit për mundësinë e aplikimit të shtetasve pa pasaportë, është data 15 qershor. Nga eksperienca e mëparshme, në Shqipëri marrin pjesë jo më shumë se 1.380.000 votues, ndërkohë që numri i aplikimit me letërnjoftimin elektronik po shkon drejt shifrës 1.400.000”, bëri të ditur kreu i Ministrisë së Brendshme, Bujar Nishani. Lidhur me faktin kur një qytetar kishte emrin në katër vende të ndryshme, Nishani bëri të ditur se të gjitha rastet që do të identifikohen do të jenë objekt verifikimi. “Programi është i tillë që verifikon dhe dublikon dy e nga dy emrat. Është një rast i veçantë në afro 3.1 milionë zgjedhës. Në rastin e këtij shtetasi, i cili ka qenë i regjistruar 4 herë në zyra të ndryshme të gjendjes civile, programi nuk mund ta identifikojë katër herë, sepse padrejtësisht ai mund të hiqte një emër të ngjashëm me të”, theksoi ministri i Brendshëm. Ai konfirmoi gjithashtu se Policia e Shtetit është e gatshme për zgjedhjet e 28 qershorit, teksa shtoi se performanca e saj do të jetë në nivelet e zgjedhjeve të fundit. Prej disa ditësh maxhoranca dhe opozita janë përplasur publikisht lidhur me numrin e qytetarëve, të cilët nuk kanë aplikuar deri tani për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe që nuk do të kenë mundësi të votojnë për shkak se nuk kanë as pasaportë. Rreth 200 mijë qytetarë nuk janë paraqitur ende në zyrat e gjendjes civile për të aplikuar, çka sipas opozitës përbën një rast për të menduar hyrjen në zgjedhje. Ndërkohë, në një dalje të posaçme për mediat, një ditë më parë ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers tha se, “këto janë njerëzit që janë më shumë në rrezik për t’iu mohuar mundësia për të votuar. Ky është një shqetësim me rëndësi kritike, sepse një nga kërkesat kryesore të standardeve ndërkombëtare që zgjedhjet të quhen të lira dhe të ndershme, është e drejta universale e qytetarëve për të votuar – pra kushdo që dëshiron të votojë duhet të ketë mundësinë për të votuar dhe asnjë pengesë nuk duhet të ndalojë këtë person nga kjo e drejtë”.

Të dhënat

1.253.360 qytetarë kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik deri në 5 qershor 767.190 qytetarë kanë tërhequr letërnjoftimet elektronike deri në 5 qershor 730 mijë është sipas ministrisë numri i qytetarëve që nuk kanë pasaportë 1.38 milionë qytetarë sipas ministrisë marrin pjesë në zgjedhje 3.08 milionë qytetarë kanë të drejtë të votojnë në 28 qershor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›