E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jo në garë për pushtet personal”

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist gjatë mitingut elektoral në qytetin e Librazhdit u premtoi qytetarëve të tij liberalizim të vizave brenda 2010. Rama akuzoi kryeministrin Berisha se politikën dhe pushtetin e sheh si mjet përfitimi. “Për mua politika nuk është luftë për pushtet personal, siç është për Sali Berishën, dhe as mjet për të përfituar, duke thënë gjëra që nuk i bëj dhe duke bërë gjëra që nuk thuhen, siç bën Sali Berisha”, tha Rama. Kreu socialist tha se liberalizimi i vizave ishte një premtim i pambajtur i Sali Berishës nga 2005. “4 vjet më parë, Sali Berisha e kërkoi dhe e mori votën e shqiptarëve për shumë arsye, por njëra ndër këto arsye ishte se premtoi që shqiptarët do të lëviznin pa viza. Sot 4 vjet më vonë, jo vetëm që Shqipëria është ende e mbyllur, jo vetëm që qindra mijëra shqiptarë nuk arrijnë të dalin dot prej saj dhe qindra mijëra familje janë ndarë më dysh, mes vajza e djemsh që nuk hyjnë e dalin dot nga Shqipëria, dhe familjarë që nuk shkojnë t’i takojnë dot djemtë e vajzat e tyre, por sot Shqipëria për shkak të Sali Berishës, mbeti jashtë paketës së fundit, ku u përfshi edhe Serbia”, tha Rama. Ai e cilësoi këtë dështim shprehje të politikës së vjetër që qeveris vendin. “Për fat të keq, për shkak të kësaj politike të vjetër dhe të dështuar, jo vetëm që ne nuk mund të kemi sot viza për të lëvizur lirisht në Evropë, por do të na duhet që edhe për të hyrë në Maqedoni dhe Mal të Zi të marrim vizë, njësoj si për të shkuar në Francë apo Gjermani. Kjo është politika e vjetër! Ky është dështimi i madh!”, tha Rama. Kjo është arsyeja, u shpreh kreu socialist, pse unë ju them këtu sot, se ne socialistët nuk ju premtojmë, por angazhohemi që në 2010-ën t’i heqim kufijtë që e ndajnë nga Evropa dhe të bëjmë që çdo shqiptar e shqiptare, të hyjë e të dalë lirisht në Evropë e Shqipëri, si qytetar i lirë dhe i barabartë i Evropës”. Kreu socialist, duke prezantuar disa prioritete të programit qeverisës, në një nga qytetet me papunësi në nivele shumë të larta, u shpreh se punësimi do të jetë në themel të tij. “Punësimi është një nga themelet e programit tonë qeverisës, ndaj me votën tuaj të 28 qershorit, ju do t’i jepni jetë këtij programi të ri që u jep zgjidhje të reja shumë prej problemeve tuaja të vjetra”, tha Rama.
Fushata
Socialistët mësohet se do të zhvillojnë në Tiranë dhe në të gjithë vendin një fushatë krejt ndryshe nga zgjedhjet e kaluara. Kryesisht do të hiqet dorë nga mitingjet e mëdha në njësitë vendore. Edhe pse axhenda mbahet e fshehtë hermetikisht, mësohet se në Tiranë mund të zhvillohet dhe një miting në përmasat e atij të Kombinatit, ndërsa gjithë pesha e fushatës do të përqendrohet në takime fizike të kryetarit socialist Edi Rama dhe kandidatëve në blloqe banimi, rrugë, apo takime me grupe të ndryshme interesi, por dhe trokitje derë më derë ashtu siç ndodhi për mitingun në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Amerikanët e fushatës së socialistëve, duket se kanë sugjeruar takime direkte me elektoratin, veçanërisht në ato komunitete ku shfaqen dyshime për mbështetjen e tyre ndaj PS-së. E njëjta mënyrë komunikimi me elektoratin pritet të zhvillohet dhe në qarqet e tjera, ku aktualisht janë duke zhvilluar takime në grupe të vogla me zgjedhësit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›