E Shtunë, 31 Tetor 2026

India shton masat e sigurisë në aeroporte

Aeroportet në Indi kanë ngritur nivelin e alarmit, pasi që autoritetet ja tërhoqën vërejtjen kompanive për përpjekje të mundshme për rrëmbim, nga ana e grupeve militante islamike, kanë njoftuar zyrtarët.

Ministria për aviacion civil ka theksuar se niveli i alarmit është ngritur, bazuar në informatat e shërbimeve perëndimore për inteligjencë.

Në raporte u theksua se kompania shtetërore, Air India apo kompanitë private, mund të vihen në shënjestër të grupit Lashkar E Taiba, grup ky i lidhur me Al Qaidën që vepron në Pakistan.

Vërejtja u tërhoq vetëm disa ditë para se India të kremtojë Ditën e Republikës javën e ardhshme.

“Kemi informata se mund të ketë përpjekje për të rrëmbyer aeroplanët e Indisë, deklaroi UK Bansal, zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Indisë.

“Për këtë arsye ja kemi tërhequr vërejtjen Ministrisë së Aviacionit Civil dhe kemi shtuar masat e sigurisë në të gjitha aeroportet”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Aviacionit Civil, Moushumi Chakravarty, konfirmoi se kësaj ministrie i është tërhequr vërejtja.

Në vitin 1999, një aeroplan i Air India është rrëmbyer në Kathmandu nga militantët islamikë dhe është detyruar të aterrojë në Kandahar, në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›