E Martë, 3 Nëntor 2026

KQZ paraqet projektin për trajnimin e KZZ

06/03/2005  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shprehur shqetësimin për vonesat në miratimin e anëtarëve të Komisioneve Zgjedhore Zonale. Burimet kanë bërë të ditur se partitë, që kanë të drejtë për të paraqitur emrat për anëtarë të KZZ, kanë nisur procedurat për propozimin e emrave. Ndërsa është bërë e ditur se afatet e parashikuara në ligj tashmë kanë përfunduar. Në një prononcim të dhënë dje, për "Metropol", zëdhënësi i KQZ-së, Erton Sinani, është shprehur se për këtë çështje po "presim propozimet e 6 partive dhe për këtë çështje jemi të detyruar, pasi afatet kanë kaluar dhe nuk na është dhënë asnjë emër". Sipas tij, partitë përkatëse e kanë justifikuar vonesën me debatin e tejzgjatur të miratimit për ndarjen e re elektorale. Gjithashtu, Sinani ka bërë të ditur se, për anëtarët e Komisioneve Zgjedhore Zonale, është parashikuar një projekt trajnimi. "Javën e ardhshme duhet të vinë të gjitha propozimet për të nisur tre seancat e parashikuara për trajnimet", tha dje Sinani. Sipas Kodit Zgjedhor, është PS, PD, PR, PSD, PBDNJ dhe PDR që kanë të drejtën e paraqitjes së anëtarëve të KZZ-ve. Këto komisione janë cilësuar tejet të rëndësishme për vetë faktin se do të jenë përgjegjësit kryesorë në shpalljen e fituesve në zgjedhjet parlamentare. Të njëjtat parti që kanë të drejtën e anëtarit në KZZ duhet të paraqesin dhe emrat për grupet e punës, që do të numërojnë fletët e votimit. Për këto pika, ka qenë LZHK dhe LSI, që kanë shprehur kundërshtimin, duke e cilësuar si një formulë paraprake për manipulimin e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›