E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi na vonoi për administrimin

06/03/2005  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paraqet në parlament raportin mbi zhvillimet elektorale për vitin 2004

Rregullorja e re u shty për shkak të vonesës së miratimit të Kodit Zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në raportin e punës për vitin e shkuar, ka shprehur shqetësimin e vonesave, që po sjell Kuvendi në reformën elektorale. Për KQZ, këto vonesa kanë reflektuar në procedurat për administrimin e zgjedhjeve. "Duhet të evidentohet fakti që qenia e ligjit zgjedhor prej shumë kohësh në një proces rikonsiderimi të përfunduar vetëm përpara pak javësh, nuk ka ndihmuar në ndërtimin e një programi dhe strategjie të qëndrueshme dhe/ose të plotë të KQZ-së në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet e këtij viti". Gjithashtu, në raport bëhet e ditur se KQZ, veçanërisht gjatë vitit 2003, ka ritheksuar edhe nevojën e ngutshme për rregullimin dhe plotësimin e rregullores ekzistuese të saj. "Rregullorja e KQZ-së nuk rregullonte në mënyrë specifike shumë aspekte të rëndësishme të veprimtarisë, veçanërisht mënyrën e përgatitjes së mbledhjes dhe veprimet që kryhen gjatë saj prej anëtarëve të KQZ-së, përfaqësuesve të partive politike, përfaqësuesve të kandidatëve të pavarur, vëzhguesve, medias dhe administratës së KQZ-së. Në përfundim të punës për përgatitjen e kësaj rregulloreje u përfitua një draft, i cili kishte 130 nene. Për shkak të ndryshimeve të pritshme në Kodin Zgjedhor, procesi i miratimit të rregullores u ndërpre", thuhet në raport.

Lista

Megjithatë, pavarësisht vonesave për miratimin e Kodit, KQZ, gjatë vitit 2004, ndërmori disa veprime përgatitore për listën e zgjedhësve. "Që në muajin prill 2004, me një letër që u dërgonte kryetarëve të komunave dhe bashkive KQZ, tërhiqte vëmendjen për detyrimet e organeve të qeverisjes vendore për përgatitjen e listës dhe për fillimin e punës për kryerjen e disa veprimeve", thuhet në raport. Gjithashtu bëhet e ditur se KQZ, në bashkëpunim me zyrën në Shqipëri të Fondacionit Ndërkombëtar IFES, vazhdoi punën e filluar që para zgjedhjeve të kaluara për dixhitalizimin dhe përditësimin e hartave të bashkive më të mëdha. Gjithashtu, në muajin tetor 2004 “Për verifikimin, identifikimin dhe regjistrimin e shtetasve nga njësitë e qeverisjes vendore”, KQZ miratoi formatet e printimit të listës së zgjedhësve të zgjedhjeve të kaluara, printoi dhe dërgoi pranë çdo njësie të qeverisjes vendore të gjithë këtë dokumentacion. Gjithashtu mori masat e duhura për të pasqyruar me katër shifra, ashtu si ligji parashikonte, numërimin e zonave të regjistrimit të qendrave të votimit.

Takimet

Për zgjedhjet e ardhshme, KQZ synon ndërtimin e një sistemi të veçantë komunikimi KQZ-KZZ dhe anasjelltas, i cili, me përfshirjen e Zyrave Rajonale, do të bëjë akoma më të menaxhueshëm dhe të administrueshëm procesin zgjedhor në tërësi, duke qenë se KQZ do të ndajë me këto zyra një nivel të lartë informacioni dhe dokumentacioni, duke u krijuar këtyre njësive kushte maksimale logjistike dhe duke iu dhënë akses maksimal për shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit zgjedhor, sidomos për ato raste, në të cilat KZZ-të apo aktorët e tjerë të interesuar nuk kanë mundësi komunikimi direkt me administratën e KQZ-së. Në raport, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka tërhequr vëmendjen për garantimin e jetëgjatësisë së dokumentacionit të mbledhur nga zgjedhjet e shkuara. Për këtë është kërkuar tranferimi në Arkivat e Shtetit, por ky institucion sugjeron si zgjidhje të vetme arkivin e Kuvendit të Shqipërisë. "Duke e konsideruar këtë përgjigje të pamotivuar në ligj, për arsye se ligji për arkivat, ndonëse në afat kohor, është miratuar pas Kodit Zgjedhor, nuk shprehet për shfuqizim të çdo dispozite tjetër ligjore që rregullon marrëdhëniet juridike me Arkivin, e për rrjedhojë nuk është shfuqizuar neni 180 i Kodit Zgjedhor, çështja e dorëzimit të dokumentacionit zgjedhor do t’i drejtohet përsëri kësaj drejtorie. Mbajtja e këtij dokumentacioni në ambientet e KQZ-së paraqet një vështirësi më vete, pasi ngushton së tepërmi ambientet e punës së administratës së KQZ-së", thuhet në raport.

Takimet

KQZ ka miratuar dy vendime, të cilat kanë pasur për objekt miratimin dhe zhvillimin e projekteve të edukimit zgjedhor të shtetasve. Këto projekte kanë qenë:

•Aktiviteti i Ditës Kombëtare të Drejtësisë, më 10 maj 2004, një aktivitet i tipit të edukimit ligjor të komunitetit. Në këtë aktivitet, KQZ zhvilloi një fushatë edukative të publikut pjesëmarrës, duke përgatitur edhe konkurse të hapura, ku qytetarët morën pjesë, përdorën kutitë e votimit dhe njëkohësisht u bënë fitues të disa çmimeve simbolike.

•Aktiviteti i zgjedhjeve të qeverive të nxënësve në disa shkolla të kryeqytetit. Në këtë aktivitet, KQZ zhvilloi zgjedhjet e qeverive të nxënësve në disa shkolla të mesme të kryeqytetit dhe krahas zhvillimit të procesit të votimit, nëpërmjet stimulimit të një procesi zgjedhor të vërtetë, KQZ zhvilloi njëkohësisht seanca trajnimi dhe edukimi të pjesëmarrësve në proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›