Rikthehet "Dushku"
06/03/2005 Zona e Dushkut është risjellë dhe një herë si shqetësim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Por këtë herë në raportin e paraqitur në Kuvend nuk përmenden zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, por zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit 2003. Votimet në këtë zonë janë ripërsëritur në dhjetor 2004, për shkak të pamundësisë së konstituimit të Këshillit të Komunës Dushk. Për këto zgjedhje, në këtë njësi u ngritën 12 qendra votimi dhe u regjistruan 7280 zgjedhës. "Megjithëse KZQV-ja e kësaj Komune u ngrit brenda afateve ligjore, puna e saj për administrimin e procesit zgjedhor nuk ishte në nivelin e kërkesave të ligjit. Shkak për këtë u bënë mosmarrëveshjet midis anëtarëve të këtij komisioni si dhe ndikimi i politikës në veprimtarinë e tij. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu desh disa herë të shqyrtonte ankesa, që vinin nga një pjesë e anëtarëve të kësaj KZQV-je, si dhe subjekteve politike në lidhje me vendndodhjen e ambienteve të punës së kësaj KZQV-je. Ndërprerjet e punës së këtij komisioni, patën si pasojë, vonesën në ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit si një detyrim ligjor i KZQV-së. Duhet të theksojmë se atmosfera politike gjatë periudhës zgjedhore në këtë Komunë, nuk ishte aspak e ngjashme me atë të vërejtur në njësitë zgjedhore të përmendura më lart. Me gjithë kontekstin e mësipërm, të favorizuar edhe nga distanca e afërt, KQZ, nëpërmjet administratës së tij, pati mundësinë ta ndiqte në mënyrë intensive çdo hap dhe veprimtari të këtij procesi", thuhet në raport.