KQZ, partitë shtyjnë ndarjen e 140 mandateve të Kuvendit
Partitë politike shtyjnë vendimin e KQZ-së për miratimin e formulës së shpërndarjes së 140 deputetëve të Kuvendit. Përfaqësuesit e PS-së dhe të PD-së kërkuan kohë të krahasojnë të dhënat e paraqitura në këtë akt, me ato të regjistrit kombëtar të gjendjes civile. “Ne nuk kemi pasur mundësi për të shqyrtuar të dhënat të sakta dhe mbi bazën e shifrave të ofruara”, deklaroi përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj. Ndërsa është kërkuar që të vihet në dispozicion dhe lista e saktë e zgjedhësve, pasi ende nuk janë përfundimtare. “Po mundohemi të kapim kohën në mënyrën më urgjente. Nga ana tjetër për këtë akt jemi me vonesë, por për shkak të kësaj kërkese dhe të cilësisë së aktit mendoj ta kalojmë në votim në parim”, tha kreu i KQZ-së, Arben Ristani. Kjo gjë është pranuar nga ana e përfaqësuesve të KQZ-së, ndërsa është lënë si afat përfundimtar ditën e enjte. Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti në lidhje me këtë çështje deklaroi se po punohet me shpejtësi në realizimin e këtij procesi. “Menjëherë sapo ky proces të mbarojë, që është çështje shumë pak kohe, KQZ-ja do të ketë listat më të pastra që ka pasur ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Afati është sot, nesër; është çështje orësh tashmë, jo çështje ditësh”, deklaroi Teliti.