E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëndetëset ruse, bazë ankorimi në Karaburun

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Nëndetëset ruse, të cilat erdhën në vendin tonë që në vitin 1958, do të ankorohen në një mol që do të improvizohet në gjirin e Karaburunit. Katër nëndetëset, midis të cilave edhe ajo me nr. 105, si dhe disa anije në gjendje tejet të amortizuar, do të spostohen për t'i hapur udhë aktivitetit normal të mjeteve lundruese të bazës së Pashalimanit. Burime pranë bazës ushtarake bënë të ditur se për transportin e nëndetëseve do të çelet një tender. Firma fituese do të krijojë molin dhe transportin e tyre nga baza, për në zonën e Karaburunit. Katër nëndetëset janë kthyer në relike të ushtrisë shqiptare sepse janë krejtësisht të amortizuara dhe të ndryshkura. Sipas burimeve, këto nëndetëse si dhe disa anije të tjera kanë bllokuar molin e bazës ushtarake. Duke pasur parasysh se nëndetëset, anijet ushtarake si dhe ato civile shkaktojnë pengesë në mol, ato do të transportohen duke i tërhequr dhe më pas vendosur në molin që është vendosur të ndërtohet në Karaburun. Mësohet se fillimisht atje do të mbytet një anije, e cila do të mbushet me rërë, mjete të forta dhe ngurta. Më pas, në molin e improvizuar enkas do të lidhen katër nëndetëset, si dhe anijet, duke i zhytur në ujë. Ato do të qëndrojnë aty për një kohë të gjatë, por nuk është parashikuar se si do të veprohet me to më tej. Mund të lihen dhe si relike muzeale në këtë miniport, por dhe mund të shiten për skrap, së bashku me anijet e tjera të dala jashtë përdorimit. Gjatë qëndrimit në mol, nëndetëset nga dallgët ose me qëllim, rrezikojnë të shpëtojnë nga litarët dhe daljen në det. Dalja në det të hapur mund të shkaktojë ndonjë tragjedi si pasojë e përplasjes me tragete apo mjete të tjera lundrimi. Nëndetëset kanë dalë jashtë përdorimit dhe nuk kanë kryer asnjë lundrim që prej vitit 1990.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›