E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria ndryshon listën e zgjedhësve,studentët e ushtarakët votojnë aty ku jetojnë

 

Aristir Lumezi

Katër muaj para zgjedhjeve parlamentare nis gara e sondazheve për rezultatin e tyre. Lëvizja Socialiste për Integrim shpalli dje në Parlament përmes nënkryetarit të saj, Dritan Prifti, një sondazh të zhvilluar nga një kompani e huaj, i cili jep një ikonë të re të konfigurimit elektoral në Shqipëri. Ndërkaq dhe Tv Klan bashkë me Qendrën e Studimeve Humane “Gani Bobi” publikoi dje një sondazh, i cili i le partitë politike sipas konfigurimit aktual. Sot pritet që Top Channel përmes një tjetër kompanie të huaj, Zogby International pritet të japë të tjera të dhëna elektorale për partitë nga një sondazh i sapozhvilluar prej saj. Edhe pse sondazhi i LSI-së ishte zhvilluar gjatë muajit janar të këtij viti, kjo parti nuk ka preferuar ta bëjë publik, duke e trajtuar atë për interesat dhe strategjitë e saj elektorale. Por dalja e sondazhit të Gani Bobit, detyruan nënkryetarin e kësaj partie të shpallë rezultatet e këtij sondazhi, duke u munduar të japë kështu një pasqyrë të vërtetë sipas tyre, të situatës zgjedhore në Shqipëri. Dritan Prifti tha dje në Kuvend se të gjitha këto sondazhe që dalin nga këto dy forca politike, iu kthejnë shqiptarëve të vërtetën. “Që ta ketë parasysh Berisha, 56 deputetë merr e gjithë PD-ja nga sondazhet e janarit dhe 82 deputetë janë ata që merr e majta në sondazhet e janarit, nga të cilët 47 PS-ja dhe 37 LSI. Thojini popullit të vërtetën. Nuk keni për t’i manipuluar zgjedhjet. Ne do të sjellim 500 vëzhgues nga e gjithë bota për t’i monitoruar. Harrojini manipulimet”, tha Prifti. Duke komentuar sondazhet që paraqesin dy partitë e mëdha, kreu i LSI-së, Ilir Meta tha dje se, “mund t’ju them se panik- sondazhet e porositura nga Rama dhe nga Berisha, jo vetëm që nuk frenojnë dot rrjedhjen e elektoratit të tyre të zhgënjyer nga mashtrimet e tyre, nga keqqeverisja e të dyve, por njëkohësisht nuk i shpëtojnë dot ata nga një ndëshkim i jashtëzakonshëm, që i pret në 28 qershor lidershipet e këtyre dy forcave politike të vjetra, që kujtojnë se mund të mbajnë elektoratin me sondazhe të manipuluara”. Sondazhi i bërë nga një kompani e huaj mjaft e njohur në këtë fushë sipas LSI-së, e pozicionon këtë parti fituese në një qark, siç është ai i Beratit, ndërsa ajo arrin përqindje fituese dhe në qarqet e tjera. Ndërsa në sondazhin e tij, Gani Bobi jep të tjera parashikime zgjedhore. Sipas tij, në pyetësorin e PSB (Penn, Schoen & Berland) është përsëritur tri herë pyetja se për cilën parti do të votonin të anketuarit nëse zgjedhjet do të mbaheshin dielën që vjen. Tendenca në këto deklarata tregon se do votohej PD-ja me 48 deri 49%, PS-ja me 37%, ndërsa LSI merr 6.1 deri 7.1%. Sipas këtij sondazhi prej partive të vogla vetëm një subjekt arrin vlerën prej 2.5 deri 3.2%; është G-99.

Sondazhi Gani Bobi

    PD                 me 48 deri 49%
    PS                 me 37%
    LSI                 me 6.1 deri 7.1%
    G-99                 me 2.5 deri 3.2%
    Nga partitë e tjera         asnjë nuk arrin 1%
     
    Kandidat për Kryeministër

    Edi Rama             35.1%
    Sali Berisha         34.9%
    Ilir Meta                 9.9%

LSI prezanton Memushin në Gjirokastër
Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi dje Luan Memushin si kandidat të saj në Qarkun e Gjirokastrës. Ishte sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, i cili ka zyrtarizuar kandidimin e ish-ministrit të Arsimit, Luan Memushi, nën siglën e LSI-së për zgjedhjet e ardhshme për Qarkun e Gjirokastrës. Vasili vlerësoi deputetin socialist Memushi si një ndër kapacitetet më të pasura politike në vend. Pak ditë më parë Memushi vendosi t’i bashkohet LSI-së, duke qenë një nga kandidaturat me peshë në këtë qark, ku nga Partia Socialiste do të ketë përballë kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi dhe nga PD-ja, Genc Rulin. Memushi duke vlerësuar LSI-në si forcë politike, shprehu qëndrimin e saj konstant ndaj ndryshimeve kushtetuese, Kodit Zgjedhor, ligjit për Prokurorinë etj., të cilat i ka cilësuar si goditje të rënda sistemit kushtetues në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›