E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza dhe impakti ekonomik për Shqipërinë

Rudina Seseri 

Çdo ditë Barak Obama, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bën njoftime shtypi mbi hapat, që qeveria e tij po merr ...për nxjerrjen e vendit nga kriza ekonomike. Nga këto hapa, më e rëndësishmja është sigurisht paketa e dytë e stimulimit ekonomik në një vlerë prej më shumë se 840 miliardë dollarë. Ndërkohë që të dhënat makroekonomike flasin për një recesion të rëndë, ku papunësia është në nivelet më të këqijat në 34 vitet e fundit me 3.5 milionë individë të papunë.
Megjithëse në vetvete shokuese, këto fakte janë bërë pjesë e përditshme e jetës amerikane, duke krijuar shqetësim për sigurinë e punës tek të punësuarit e një panik tek ata që kanë humbur të ardhurat. Në një nivel ndoshta më të përgjithshëm, kjo krizë ngre pyetje mbi të ardhmen e Amerikës si superfuqi ekonomiko-ushtarake.
Për shqiptarët, pyetja më imediate ka të bëjë me influencën që kjo krizë do të ketë mbi ekonominë shqiptare. Pa pretenduar për të mbuluar ose parashikuar të gjitha aspektet, që ajo do të prekë në Shqipëri, ia vlen adresimi i krizës financiaro-bankare. Për të kuptuar ramifikacionet e saj mbi Shqipërinë duhet peshuar situata në Evropë ndaj secilës Shqipëria është më e ekspozuar dhe për të vlerësuar situatën evropiane duhet të shihen efektet e krizës amerikane.
Shkaqet dhe Pasojat e Krizës Financiare
Në radhë të parë është e rëndësishme të kuptohen shkaqet e krizës financiare. Qendra e uraganit financiar ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në dekadat e fundit, Amerika po ashtu si Anglia dhe Spanja, kanë pasur një deficit të së ashtuquajturit current account. I thjeshtëzuar, ky deficit do të thotë që në Amerikë është investuar çdo vit rreth 5% - 6% mbi sasinë e kursimeve kombëtare. Për të financuar këto investime, Amerika ka përdorur instrumentet e kredisë. Financierët kanë qenë vendet evropiane dhe ato aziatike, që historikisht kanë pasur tepricë të current account, pra kanë kursyer më shumë sesa kanë investuar dhe balancat tregtare janë pozitive. Disi të lodhur nga monotonia e blerjeve të bondeve të thesarit të sigurta të qeverisë amerikane ku interesi ishte fare i ulët, vendet financuese të këtij deficiti amerikan filluan të blinin produktet e alkimisteve të Wall Street-it ku rreziku qe më i madh, por edhe fitimet priteshin të ishin të mëdha. Këtu duhet pasur parasysh detaji i rëndësishëm që në ekonomitë e zhvilluara produktet e kredisë shiten dhe blihen mes bankave dhe investitorëve të kualifikuar.
Imagjinoni tani sikur një mori bankash private dhe gjysmë-private që kanë bollëk me likuiditet t’iu japin kredi për të blerë pasuri të patundshme individëve të pakualifikuar për të marrë kredi – të pakualifikuar pasi nuk kanë të ardhurat dhe burimet financiare për të ripaguar këto kredi. Në fillim kreditë kanë një periudhë kohore ku interesi i tyre fillestar është fare i ulët e më pas interesi rritet shumë për të reflektuar rrezikun përkatës të huamarrësit. Imagjinoni më tej që për këto kredi të pasigurta të blihet siguracion që pothuajse në mënyrë magjike duhej t’i bëjë ato më “të sigurta” pasi në rast se huamarrësit nuk paguajnë, janë kompanitë e siguracionit që dalin garantë për kthimin e kredisë.
Me huan e sapo marrë, debitorët fillojnë të blejnë shtëpi me vlera shumë më të mëdha se ato që ata do të mund të përballonin normalisht. Kërkesa për blerje rrit në vazhdimësi çmimet e shtëpive deri në pikën që ato bëhen të përballueshme nga blerësit si një flluskë që fryhet deri në shpërthim. Me shembjen e çmimeve të shtëpive, huamarrësit përballen me dy probleme të mëdha: së pari, ata nuk i shesin dot shtëpitë e tyre me çmimet atmosferike që i kanë blerë dhe si rrjedhojë nuk janë në gjendje të ripaguajnë kreditë. Ndërkohë që periudha e përkohshme e interesit të ulët ka përfunduar dhe huamarrësit duhet të paguajnë interesa të larta dhe të papërballueshme. Rezultati është sigurisht që qytetarët që kanë marrë huat deklarojnë falimentim financiar dhe nuk janë në gjendje t’i paguajnë kreditë. Është pikërisht kjo ajo që ndodhi në Shtetet e Bashkuara.
Në anën e sistemit bankar, këto kredi ishin financuar/blerë nga bankat evropiane, të cilat siç u përmend më lart shërbyen si burim i financimit të deficitit në current account. Megjithëse qytetarët nuk qenë në gjendje të paguanin as interesat e as kreditë, bankat evropiane nuk duhet të shqetësoheshin pasi siguracioni i blerë për këto kredi i bënte ato më të sigurta, apo jo? Fatkeqësisht, përgjigjja është jo. Pasi, siguracioni ka vlerë kur vetëm një përqindje e vogël e huamarrësve nuk paguajnë, por kur dështimet janë masive siç ndodhi në Amerikë, firmat e siguracionit nuk i përballojnë dot pagesat dhe deklarojnë falimentim duke i lënë bankat evropiane me humbje kolosale. Këto humbje të kombinuara me elementet e globalizimit dhe uljen e mbikëqyrjes qeveritare mbi institucionet financiare si në Evropë ashtu dhe në Amerikë, rezultuan në një krizë mbarë botërore.
Dhe për të qenë të qartë, përveç ramifikacioneve që kriza financiare Amerikane pati mbi Evropën, sistemi financiar Evropian ka edhe problemet e tij specifike e të pavarura. Formimi i eurozonës krijoi një rajon me interesa bankare shumë të ulëta ku vende si Irlanda, Portugalia dhe Spanja patën akses ndaj kapitalit me interesa të  ngjashme me vendet më të zhvilluara si Gjermania dhe Anglia, megjithëse profili i tyre i rrezikut ishte shumë më i lartë. Aksesi i lehtë dhe i papërgjegjshëm ndaj kapitalit krijoi një flluskë ekonomike si rrjedhojë e së cilës në vitin 2006, vetëm në Spanjë u ndërtuan me shumë shtëpi sesa në Gjermani, Angli e Francë, të mara së bashku. Si në Amerikë, kur huamarrësit nuk qenë në gjendje të paguanin kreditë e mara, Evropa e gjeti veten shtatzënë me një krizë të ngjashme financiare. Ekuivalenti i dëmit të kredive “të këqija” amerikane dhe evropiane ka shkaktuar humbje në vlerën 260 miliardë euro për bankat evropiane. Paniku i humbjeve ka rezultuar në një ngrirje të likuiditetit bankar. Për t’i nxjerrë bankat evropiane nga kjo situatë, qeveritë e tyre po injektojnë përafërsisht 1 triliard euro në sistemin bankar si në mënyrë direkte, ashtu edhe në formën e garancive ndërbankare. Rezultati i këtyre masave nuk dihet aq më tepër kur politikat financiare për paketat e shpëtimit bëhen në rangje kombëtare dhe jo në nivelin e BE-së.
Sistemi financiar amerikan kundrejt atij evropian
Tashmë është e qartë që sistemi bankaro-financiar në Evropë është në krizë edhe për Evropën, sidomos anëtarët e Bashkimit Evropian (BE-së), kjo krizë ka ramifikacione të mëdha. Ndryshe nga tradita amerikane e diversifikimit të burimeve të kapitalit, kompanitë evropiane mbështeten kryesisht tek bankat për fonde. Në Amerikë, kompani të ndryshme krijojnë likuiditet nga një mori burimesh: nga hedhja/shitja e aksioneve fillestare (initial public offerings) ose sekondare (follow-on offerings) në bursa tek kapitali nëpërmjet letrave komerciale (hua aftat-shkurtra për kompanitë stabël), tek fondet nga institucionet private të financimit që shtrihen në game nga venture capital (burime për ndërmarrje/krijime kompanish fare të reja dhe me shumë rrezik), private equity (për kompani me një profil relativisht më të ulët rreziku) deri tek hedge funds dhe sigurisht, bankat komerciale. Në Evropë, burimet e lartpërmendura të financimit si bursat ekzistojnë, por ato përbëjnë një pjesë shumë më të vogël të burimit të kapitalit, ndërkohë që peshën më të madhe e mbajnë bankat. Në fakt, lidhja është kaq e ngushtë sa në bordet drejtuese të kompanive të mëdha evropiane ka plot presidentë bankash, ndërkohë që në bordet e bankave evropiane ka drejtues kompanish. Arsyeja kryesore e lidhjeve kaq të ngushta mes bankave dhe kompanive të sektorëve të ndryshëm të Evropës ka qenë stabiliteti që ky raport ka dhuruar. Lidhja mes bankave dhe kompanive ka siguruar mbijetesën e këtyre të fundit gjatë periudhave të ndryshme kur ka pasur shokime të sistemit si p.sh., në raste grevash sindikale masive, të cilat ndodhin me bollëk në Evropë, apo në raste të rënieve qeveritare. Në kontrast, Amerikës nuk i është dashur të përplaset me dinamika të ngjashme, pasi rrjeti mbrojtës social-ekonomik i sindikatave është shumë i dobët, kurse rënia e qeverive është një fenomen thuajse i pakonceptueshëm për amerikanët. Kjo lidhje mes bankave dhe kompanive private evropiane do të thotë që shokimi i sistemit financiar u transmetua në të gjithë sektorët ekonomike.
Kriza dhe Shqipëria
Më së fundi, arrihet tek pyetja kryesore e këtij shkrimi për impaktin e krizës financiare mbi Shqipërinë, e cila thuajse ka mbetur e paprekur. Në fakt, ky mund të jetë një nga të vetmet raste ku mungesa e anëtarësimit në BE dhe eurozone ka pasur efekt pozitiv në krijimin e një fare vonese ose lehtësimi të impaktit të krizës financiare. Për më tepër recesioni ndërkombëtar i ka dhënë një hapësirë frymëmarrjeje Shqipërisë me rënien e çmimeve të mallrave si nafta duke ulur kështu edhe deficitin tregtar. Por, të deklarosh fitoren e izolimit të Shqipërisë nga kriza do të ishte një hap i papeshuar. 
Në mënyrë të ngjashme me vendet e tjera ballkanike, shumë banka private shqiptare janë në fakt filiale të bankave evropiane. Statistikat për Ballkanin dëshmojnë që në varësi të vendit, nga 54% deri në 90% të bankave në Ballkan janë degë e bankave evropiane. Në mungesë të statistikës ekzakte për Shqipërinë, mjafton të kaloni nëpër mend bankat private kryesore të Shqipërisë dhe do të kujtoheni se ato janë pronë e bankave italiane, austriake, franceze, greke etj. E kur qendrat e këtyre bankave në kryeqytetet evropiane janë në krizë, filialet e tyre në vendet e vogla Ballkanike nuk janë në qendër të vëmendjes. Për më tepër, qeveritë evropiane që po shpenzojnë sasi kolosale për t’i shpëtuar bankat e për të krijuar likuiditet, natyrshëm kërkojnë që paratë e taksapaguesve të tyre të përdoren për të zhbllokuar ndalesën e dhënies së kredive në vendin e tyre, e jo nëpër vendet Ballkanike. Ky element e bën Shqipërinë dhe mbarë Ballkanin të pambrojtur ndaj krizës financiare evropiane.
Për të luftuar rrezikun e krizës, Banka Qendrore Shqiptare prej kohësh ka lehtësuar kërkesat e likuiditetit bankar rezervë dhe për herë të parë që në nëntor të 2007-ës ka ndryshuar përqindjen e interesit ndërbankar, duke e ulur atë me 0.5% ne 5.75% si mekanizëm stimulimi për dhënien e kredive. Ndërkohë, që vlera monetare e garancisë së depozitave është në rritje. Megjithëse depozitat janë relativisht të sigurta, realiteti është që sasia e kredive të dhëna nga ana e bankave private do të bjerë ndjeshëm për shkak të krizës financiare. Në mungesë të kredive, të cilat për Shqipërinë ashtu si dhe BE-në janë burimi kryesor i kapitalit financiar, do të bjerë niveli i investimeve private në sektor të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë këtu edhe sektorin e ndërtimit dhe ekosistemin e lidhur me të. Kriza financiare dhe ekonomike botërore ka edhe një impakt tjetër mbi Shqipërinë. Recesioni që ka goditur Evropën prek edhe emigrantët Shqiptarë, të cilët çdo vit dërgojnë ekuivalentin e diku rreth 15% të GDP-së Shqiptare në formën e remitancave. Të influencuar nga papunësia, këta emigrantë do të dërgojnë më pak para drejt Shqipërisë për të mos konsideruar rastet ekstreme kur ata edhe mund të deportohen nga vende të ndryshme evropiane. Në fakt, sipas Bankës Qendrore Shqiptare, 9 muajt e parë të 2008-ës shënuan një rënie prej 13% të remitancave në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2007. Të dhënat e tre mujorit të fundit të 2008-ës do të jenë të rëndësishme dhe treguese për muajt e ardhshëm jo vetëm sepse ato përfaqësojnë një përqindje të madhe të sasisë vjetore, por edhe sepse këto remitanca do të jenë bërë pas shpërthimit të krizës. Në mungesë të burimit të së ardhurave nga familjarët e tyre emigrantë, shumë familje shqiptare do të ulin konsumin e tyre, një element tjetër ky që prek rritjen e ekonomisë. Rënia e investimeve private për shkak të krizës financiare dhe uljet në konsum do të rezultojnë në një frenim të rritjes ekonomike të vendit. Shifra si 6% - 9% rritje në GPD do të duken sikur i përkasin një të shkuare të largët. Një rritje e GDP-së shqiptare në nivelin 2% - 4%, parashikim ky konsistent me shifrat e Bankës Evropiane për Zhvillim, do të ishte më realiste.

* Mendimet dhe pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin vetëm autores dhe jo institucioneve apo firmave, me të cilat ajo ka lidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›