Qeveria ndryshon listën e zgjedhësve
BLEDAR HOTI
Ndryshimet në ligjin “Për Gjendjen Civile” rikthejnë konfliktin politik ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Projekti i qeverisë është debatuar në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Opozita ka kontestuar nenin 14 të këtij amendamenti, për shkak se parashikohet ndryshimi i Gjendjes Civile edhe në kohë zgjedhjesh. Për socialistët propozimi i paraqitur minon procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Relatori i kësaj çështjeje, Blendi Klosi i PS-së kontestoi ashpër nenin 14, duke u shprehur se nëse nuk rishikohet një ligj i tillë, opozita nuk jep konsensus. Tensioni në mbledhje ka qenë i lartë, pasi mosdhënia e konsensusit ishte shkaku i acarimit të deputetëve të maxhorancës dhe opozitës. “Kemi shumë vërejtje, propozimi im si relator është që të ketë mundësinë e një konsulte më të gjerë, pasi mendoj se neni 14 hedh poshtë një nen shumë të rëndësishëm të Kodit Elektoral dhe po ashtu krijon një konfuzion shumë të madh për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore në zgjedhjet e vitit 2009”, deklaroi Klosi. Kryekomisioneri Ilir Rusmali kërkoi që në fillim të mbledhjes durim nga opozita, se maxhoranca është e gatshme të japë konsensusin për një çështje të tillë. Për Klosin nuk mund të ketë votim në parim, pasi neni 14 është edhe antikushtetues dhe pikat e tij janë në kundërshtim me Kodin Civil të Shqipërisë. “Edhe pse po bëni analogji të mbledhjes së këshillit bashkiak të Tiranës, të jeni të sigurt se ne nuk bimë kurrë në këtë kurth. Nuk është se votova dhe do të iki me vrap se ia hodha, nuk është ashtu asgjë. Ne hedhim në votim, në parim dhe pastaj e ndërpresim mbledhjen dhe negociojmë”, iu drejtua Rusmali socialistëve. Por Klosi ka deklaruar se nuk mund të keqinterpretohet qëndrimi i opozitës, duke e cilësuar si jetike ndryshimin e nenit 14 nëse duhet të ketë konsensus politik. Më pas është hedhur në votim parim, ku vetëm nëntë deputetët e maxhorancës kanë votuar pro. Ndërsa të gjithë deputetët e opozitës nuk u larguan nga mbledhje, por nuk morën pjesë në votim. Në fund të mbledhjes Rusmali i kërkoi Klosit propozime konkrete përpara se të hyjnë në negociata PD-PS për çështjen e nenit 14 të projektligjit.
Amendimi
Neni 14 i shumë kontestuar nga opozita, PS dhe LSI parashikon ndryshimin e gjendjes civile për të gjithë kategoritë, personat me shkollë që zhvendosen nga vendi i lindjes për studime, ato që ikin ushtarë, të burgosurit. Kjo përfshin edhe njerëzit e sëmurë që rrinë nëpër spitale. Kjo përfshin periudhën e qëndrimit me mbi 15 ditë. “ZGJC-të bëjnë regjistrimin pranë njësisë përkatëse vendore edhe për rastet kur vërtetohet se shtetasit kanë kontrata, banojnë në një periudhë më shumë se tre muaj në territorin e njësisë përkatëse vendore: paguajnë në atë njësi, dritat, postat, kanë fëmijët në shkollë. Shtetasit nuk mund të deklarojnë dhe të kenë njëherazi më shumë se një vendbanim”, thuhet në këtë nen të kontestuar nga opozita.
ndryshimi ne ligj
Neni 14 pika 3
Shtetasit, të cilët për arsye pune, arsimimi, shërbimi ushtarak, trajtimesh shëndetësore afatgjata, në qendra spitalore, vuajtje dënimi apo dhe detyra të caktuara e raste të tjera të kësaj natyre, që qëndrojnë për një periudhë të caktuar më shumë se 15 ditë në një njësi vendore, janë të detyruar të deklarojnë pranë zyrës së gjendjes civile, qëndrimin e tyre.
Kur periudha e qëndrimit në një njësi vendore është më shumë se tre muaj, shtetasit janë të detyruar të ndryshojnë vendbanimin në adresën e re. Regjistrimi, si rregull, bëhet me adresë personale të shtetasit dhe ose të familjes.
Debatet në mbledhje
Pandeli Majko: Zoti Teliti, do kandidoni në zgjedhjet e vitit 2009?
Ilir Rusmali: Kjo është jashtë rendit të ditës.
Pandeli Majko: Jo mo jo, e kam seriozisht, nuk e kam në atë sens. Ju Teliti keni kandiduar si kryetar bashkike në rrethin e Durrësit, jeni pjesë e strukturave politike të PD, ka një ligj për konfliktin e interesit, do kandidoni apo jo në zgjedhjet e reja?
Ilir Rusmali: Zotëria ka ardhur për të mbrojtur ligjin si drejtor i Drejtorisë së Gjendjes civile, se çka ndërmend zotëria të bëjë pas gjashtë muajsh është problem i tij, nuk është problem as i komisionit dhe as teknik. Ju e dini shumë mirë se kush kandidon në zgjedhjet e 28 qershorit e di, Edi Rama dhe Sali Berisha.
Pandeli Majko: Po Jozefina nuk e di.
Ilir Rusmali: Kur thashë emrat kishim ndërmend forumet jo për individët. Natyrisht që forumet i votojnë.
Pandeli Majko: Ju keni ardhur këtu të mbroni ligjin, se jeni person politik dhe jeni përfolur dhe si kandidat, e respektoni ju këtë që të mos keni konflikt interesi, vjen për këtë infrastrukturë zgjedhore.
Ilir Rusmali: Majko të respektojnë njëri-tjetrin, ky projektligj vjen nga Qeveria dhe jo nga Armand Teliti. Mos na çoni në shtigje që nuk shkojnë në punën e këtij komisioni, mos devijoni një diskutim shumë serioz.
Blendi Klosi: Ne nuk mund të marrim pjesë në këtë votim, e vlerësojmë si shumë të frikshme mënyrën se si është paraqitur neni 14 i projektligjit. Ne kërkojmë konsensus paraprak përpara votimit e këtij neni, duam diskutime paraprake, pasi hedh në erë gjithë përgatitjen zgjedhore e infrastrukturës zgjedhore për vitin 2009.
Ilir Rusmali: Ky pozicionim i ri i PS-së mos vallë na jep mundësinë ne që të dyshojmë ne vullnetin pozitiv të ofruar nga ju. Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të gjejmë zgjidhjet.
Bashkim Fino: Neni 14, është çështje politike, i themi stop në sensin ta shqyrtojmë me konsensus. Ju thoni se e votojmë pastaj i kthehemi nenit përkatës.
Ilir Rusmali: Edhe pse po bëni analogji të mbledhjes së këshillit bashkiak të Tiranës, të jeni të sigurt se ne nuk bimë kurrë në këtë kurth. Nuk është se votova dhe do të iki me vrap se ia hodha, nuk është ashtu asgjë. Ne hedhim në votim në parim dhe pastaj e ndërpresim mbledhjen dhe negociojmë pastaj.