E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga për në bregdet, banorët në protestë

 

GJIROKASTER - Banorët e fshatit Kodër të Komunës Cepo në Gjirokastër, kanë bllokuar punimet e ndërtimit të superstradës Kardhiq-Delvinë, e cila do ta afrojë Gjirokastrën me bregdetin për 30 km. Shkak i bllokimit të njëanshëm të punimeve ka qenë në radhë të parë privimi i tyre me ujë të pijshëm për gati 7 muaj si pasojë e dëmtimit të tubacionit përcjellës nga ana e firmës së ndërtimit të superstradës. Banorët e irrituar kanë kërkuar edhe dëmshpërblim për tokën bujqësore dhe dëmet në banesa, si dhe rindërtimin e rrugës lidhëse të fshatit me aksin Gjirokastër- Tepelenë. Shpronësimet e bëra në tokat bujqësore, duket se nuk janë vlerësuar nga banorët e fshatit, të cilët nuk kanë ngurruar ta etiketojnë këtë proces si të padrejtë. Për fshatarët një shqetësim i madh është edhe dëmtimi i banesave të tyre gjatë muajve të fundit si rrjedhojë e shpërthimeve me dinamit për zgjerimin e rrugës. E vetmja rrugë për të zgjidhur kërkesat e tyre është protesta, pasi sipas tyre, kjo është e vetmja mënyrë në kushtet e indiferencës së treguar për plotësimin e tyre nga ana e drejtuesve të firmës ndërtuese. Tubimi ka nisur rreth orës 09:00 të paradites së djeshme dhe ka zgjatur përreth 3 orë. "Rrugën që është dëmtuar kaq keq kërkojmë të parën, jemi fare pa ujë prej disa muajsh. Asnjë nuk është kujtuar të vërë dorë dhe tani ne jemi të vendosur si komunitet që ta vazhdojmë protestën tonë", janë shprehur njëzëri banorët e irrituar duke shtuar se prej muajsh të gjitha kërkesat nuk janë marrë parasysh. Faza e parë e ndërtimit të superstradës nisi në 24 dhjetor të vitit 2007 ku kryeministri Berisha përuroi fillimin e tyre. Punimet e kësaj faze mendohet të përfundojnë në muajin prill të këtij viti dhe vlera e tyre financiare përllogaritet në 527 milionë lekë. Punimet janë marrë përsipër nga 3 firma, "Kisberg", "Albshpresa" dhe "Cobial". 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›