Bregu: Ne rritëm cilësinë e jetës
Ministrja e Integrimit, njëherësh dhe zëdhënëse e qeverisë, Majlinda Bregu, informoi se qeverisja e djathtë rriti cilësinë e jetës së shqiptarëve. Ajo iu referua revistës ekonomike "Cilësia e jetës", e cila e rendit Shqipërinë në vendin e 66-të, ndër 194 vendet e botës, për cilësinë e jetesës. Sipas Bregut, krahasuar me 2008-n, kur listohej në vendin e 75-të, sot Shqipëria ngjitet 9 vende më lart. Ministrja Bregu pohoi se qeveria shqiptare përshëndet çdo vlerësim objektiv ndaj reformave të ndërmarra gjatë këtyre viteve, të prekshëm së brendshmi e të konfirmuar nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë, e sigurt se tendenca për të nxirë dhe mohuar zhvillimin e vendit u përket vetëm vetmitarëve të vjetër të politikës së re. Indeksi i cilësisë së jetesës, botuar në revistën ekonomike "Cilësia e jetës" që përfshin të gjithë faktorët që ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës në vend, siç janë: kostoja e jetesës, taksat, mjedisi, shëndeti, infrastruktura, kultura e argëtimit, klima e përshtatshme për fillimin dhe mbarëvajtjen e një biznesi, siguria etj, konfirmon edhe një herë një rezultat që ndryshon pozitivisht nga viti në vit, i bazuar në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare. “Në këtë vlerësim Shqipëria lë pas vende në rajon si Maqedonia, që mban dhe statusin e vendit kandidat për në BE, Serbia, Bosnje-Hercegovina. Transparency International, Doing Business, Global Insight, The Economist, PNUD, Banka Botërore si dhe periodikë të ndryshëm si "Financial Times", "Forbes", "Wall Street Journal", agjencia "Reuters" etj., janë dëshmitë reale të trendit të ndryshimit të këtij vendi, që nga lufta kundër korrupsionit, klima e biznesit, lufta kundër varfërisë, reforma fiskale të cilat së bashku kanë si qëllim të vetëm përmirësimin e cilësisë së jetës”, - deklaroi znj. Bregu.