Tiranë, Topalli: Berisha nuk sfidohet
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijoi dje turin “Gratë për fitoren” në minibashkinë numër 8 në Tiranë, nga ku deklaroi mes qindra të rinjve dhe grave, se lideri Berisha është nuk sfidohet nga askush të opozitës. Topalli tha se në momente historike kur Berisha takonte nivelet më të larta të globit, opozita u binte bilbilave në Parlament. “Unë në këtë sallë e kam parë se sa të vështira kanë qenë: sa më të rëndësishme të ishin, aq më e vështirë ishte për t’i votuar ato në Parlament, sa më shumë ndryshime të sillnin këto reforma, aq më shumë i binin bilbilave në Parlament, sa më shumë të reja, mirëqenie, siguri, perspektivë, Perëndim të sillnin këto ligje të udhëhequra nga Kryeministri Berisha, aq më shumë kërcenin aty brenda”, - tha Topalli duke shtuar se puna me Berishën në këtë periudhë do të mbahet mend nga ajo dhe ndihet krenare. Kryetarja e Kuvendi tha më tej se Kryeministri Berisha tha se gjatë gjithë jetës së tij ka punuar me pasion në shërbim të njerëzve dhe qytetarëve. Ajo përmendi edhe karrierën e tij në spital, ku u ka shërbyer mijëra njerëzve në nevojë si mjek. “Besoj se duhet të ketë qenë kjo arsyeja kryesore, sepse në atë kohë doktor Berisha ishte kardiologu më i mirë dhe i shërbente me shpirt natë e ditë të sëmurit, atij që ishte në nevojë, atij që donte të shërohej, atij që kërkonte shpresë, atij që besonte se mund të vazhdonte të luftonte me jetën dhe me të ardhmen”, - deklaroi Topalli. Në fund të fjalës së saj, numri 2 i PD-së tha se një votë për të djathtën do të thotë udhëtime pa viza, rritje pagash si dhe investime gjigande. “Prandaj në ditën e votimit, të angazhoheni, me shoqen, me miken, me familjarët, me kushërinjtë, që t’i merrni dhe t’i ftoni: Hajde të votoni! Hajde të votoni për të hequr vizat! Hajde të votoni për të rritur rrogat! Hajde të votoni për ta bërë më të bukur këtë vend!”, - u bëri thirrje qytetarëve të minibashkisë numër 8 Topalli.
“Për një jetë të shëndetshme”, të rinjtë, të gjithë kundër drogës
Lufta kundër drogës, alkooli dhe fenomeneve të tjera negative nëpërmjet një jete të shëndetshme, me sport, edukim aktivitet, argëtim dhe çdo nismë në mbrojtje të shëndetit, ishte objekti i projektit që Drejtoria e Politikave Rinore në MTKRS në bashkëpunim me Fondin për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) organizoi me të rinjtë e shkollave të mesme dhe fakultetet e kryeqytetit. Në qendër të vëmendjes së projektit “Për një jetë të shëndetshme” ishte sensibilizimi i të rinjve si shtresa më e ekspozuar ndaj drogave alkoolit, për një jetë të shëndetshme. Drejtoresha e politikave rinore, Migena Reci, gjatë ceremonisë së projektit tha se qeveria do të rrisë më tej vëmendjen për të rinjtë në veçanti. “Jetë të shëndetshme për këta gjimnazistë nuk do të thotë të shmangin dëfrimin apo argëtimin, por gjithmonë këto orë dëfryese apo ditë dëfryese të jenë të zgjuara, pra të kalojnë nëpërmjet trurit, ndërgjegjes dhe vullnetit të mirë. Ne synojmë që me këtë fushatë të rinjtë të ndërgjegjësohen se sfidat e një vendi në NATO, e një vendi që zhvillohet dhe ndryshon nga dita në ditë, e një vendi që rinia e vet i përket rinisë evropiane, nuk mund të përballohen me problemet e drogës, me probleme alkoolizimi. Të gjitha këto sfida kërkojnë një rini të zgjuar, një rini të vullnetshme, një rini të përgatitur”, – u shpreh Reci.