E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moskandidimi, Basha: Rama braktisi provimin e 28 qershorit



Frika nga humbja e detyroi të mos hynte në provim. Ky është komenti që i bëri dje ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, moskandidimit të Edi Ramës në garën e 28 qershorit për deputet në Kuvendin e ri të Shqipërisë. Gjatë një takimi elektoral me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së së Elbasanit, z. Basha kritikoi vendimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për refuzimin e provës për deputet. Sipas ministrit Basha, ai nuk kishte guximin të hynte në këtë provim për t’i dalë garës ballë për ballë. Para të rinjve demokratë, Basha i kujtoi Ramës se të vetmin provim që ka marrë, është ai i dhënies së lejeve të ndërtimit klanit të tij. Basha vuri në dukje se Edi Rama ka ngelur në çdo provim të dhënë para qytetarëve të Tiranës, prandaj nuk ka kurajo të futet në provimin e 28 qershorit. I vetmi provim që nuk ka humbur Rama, është ai i dhënies së shumicës së lejeve të ndërtimit bashkëpunëtorëve të tij. “A merret dot një provim pa u futur në provim? Jo. A e di Edi Rama këtë? Jo. Kjo nuk është shkollë arti me korrespondencë që të bësh pikturat nga shtëpia dhe të japësh provimin. Jo z. Rama. Ti duhet të dalësh në ballë të garës, duhet ta japësh provimin që ta marrësh provimin. Në çdo provim që ke dhënë, ke ngelur, prandaj nuk ke faj që nuk futesh dhe në këtë provim, sepse e ke humbur aforfe”, - deklaroi ministri Lulzim Basha. Ministri i Punëve të Jashtme siguroi të rinjtë e Elbasanit, e përmes tyre, të rinjtë e të gjithë Shqipërisë se procesi i heqjes së vizave është në rrugë të mbarë dhe se, ashtu siç është premtuar, brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë së Kryeministrit Berisha, do të lëvizin lirisht nëpër hapësirën “Shengen”. Para tyre, ministri Basha paraqiti arritjet e qeverisë “Berisha” përgjatë katër viteve të mandatit që po lëmë pas, teksa përmendi si arritje kryesore atë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Duke folur për ndryshimin që ka pësuar Shqipëria përgjatë qeverisjes së djathtë, ministri Basha u pohoi të rinjve elbasanas se kjo qeveri, përmes vijimësisë së mandatit tjetër qeverisës, ka projekte të tjera të rëndësishme, të cilat do të sigurojnë një të ardhme evropiane të shqiptarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›