KQZ përjashtoi nga lista Partinë e Punës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përjashtoi Partinë e Punës së Shqipërisë së Re, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Përfaqësuesi socialist në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Genc Gjonçaj, denoncoi se kjo forcë politike që do të garonte në zgjedhje, kishte falsifikuar aktin noterial, ku ishte lista prej 10.296 firmash që mbështesnin konkurrimin e saj. Mashtrimi u zbuluar nga përfaqësuesi ligjor i PS, Gjonçaj, i cili kishte siguruar dëshminë e noteres Miranda Xhemalce, e cila deklaronte se nuk ka firmosur kurrë dokumentacionin regjistrues të PPSH-së. "Këtu kemi të bëjmë hapur me një vepër penale. Kjo forcë politike ka falsifikuar aktin noterial dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të distancohet nga ky akt, duke përjashtuar menjëherë nga konkurrimi këtë forcë politike për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit", kërkoi Gjonçaj. Sipas tij, nuk mund të pranohet që një forcë politike të konkurrojë në zgjedhje, me akt noterial të falsifikuar.