E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: SHISH po del mbi Parlamentin



PS e cilëson projektligjin e ri për SHISH-in, si një vegël në duart e Kryeministrit, me anën e të cilit mund të survejojë edhe deputetët e Parlamentit. Deputeti Saimir Tahiri në një analizë të detajuar të projektligjit të maxhorancës tha dje se ai nuk ofron asnjë garanci ligjore dhe kushtetuese për një shërbim inteligjent në përputhje me këto parime. Amendamentet e ofruara nga shumica sipas Tahirit nuk përbëjnë asnjë reformë për SHISH, por përkundrazi e centralizojnë atë në duart e Kryeministrit Berisha duke lënë jashtë kontrollin parlamentar dhe atë gjyqësor. Deputeti socialist quan skandaloz një nga shtesat e bëra nga maxhoranca ku parashikohet në veprimtarinë e SHISH edhe kontrolli, mbikëqyrja nga cenimi i demokracisë parlamentare. "Centralizimi dhe kontrolli që synohet me këtë iniciativë mbi SHISH bëhet edhe më i frikshëm, sepse mund të abuzohet me mundësinë që ky organ ka me ligjin ekzistues për të përgjuar dhe kontrolluar deputetët me vetëm një firmë të thjeshtë të kryetares së Kuvendit. Supozoni një drejtor të emëruar nga Berisha që përgjon me firmën e kryetares së Parlamentit. Kjo nuk përbën asnjë garanci", u shpreh Tahiri. Një tjetër hapësirë e çuditshme sipas Tahirit është edhe fakti se në projektligj përcaktohet një mandat i kufizuar për drejtorin e SHISH, por jo për zëvendësin e tij. E aq me tepër, thotë Tahiri që roli i Parlamentit është i kufizuar thuajse inekzistent. Një tjetër pikë është edhe Inspektori i Përgjithshëm, i cili është i emëruar drejtpërdrejt nga kryeministri. Tahiri rendit edhe një sërë pikash të tjera të cilat sipas tij janë tregues të qartë të tentativës së tij për të zaptuar këtë institucion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›