E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ refuzon vëzhguesit e KSHH dhe News 24

SHKRUAN: Fejzi Braushi 04-05-2011 10:58

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për akreditimin e 17 vëzhguesve afatshkurtër për zgjedhjet vendore të 8 majit. Me 5 vota pro dhe votën kundër të nënkryetares Dëshira Subashi, KQZ ka miratuar propozimin e administratës për të rrëzuar kërkesën e KSHH-së, si të paraqitur jashtë afateve ligjore. Përfaqësuesi socialist në KQZ, Eridian Salianji është shprehur pro akreditimit të këtyre vëzhguesve, duke argumentuar se kërkesa për regjistrimin e tyre nuk duhet konsideruar si një kërkesë e re, por si vijim apo plotësim i kërkesës së mëparshme që kjo organizatë ka paraqitur në KQZ për regjistrimin e 141 vëzhguesve të tjerë. Të njëjtin shpjegim ka dhënë dhe përfaqësuesja e KSHH-së, e pranishme dje në KQZ, e cila ka sqaruar se lista prej 17 vëzhguesish duhet konsideruar si plotësim i kërkesës së parë dhe jo si e re. Nuk kanë qenë të këtij mendimi përfaqësuesi i PD-së, Niazi Kosovrasti dhe anëtarët e djathtë të KQZ-së, të cilët duke iu referuar Kodit, kanë theksuar se kërkesa është paraqitur në datë 29 prill, pra tej afatit 10-ditor para zgjedhjeve, që parashikohet në ligj. Në përfundim të debatit, KQZ ka votuar, ku krahas katër votave të anëtarëve të djathtë, pro propozimit të rrëzimit ka votuar edhe anëtari i majtë, Artan Lazaj, ndërsa nënkryetarja Subashi ka votuar kundër. Por kjo vendimmarrje duket se nuk ka qenë e ndikuar nga qëndrimet e kundërta që KSHH ka mbajtur kryesisht ndaj veprimtarisë së KQZ-së, pasi përveç listës së saj, dje janë refuzuar edhe listat e “Shoqatës së grave me probleme sociale” dhe televizionit News 24. Madje, për kërkesën e televizionit, KQZ ka hezituar të marrë një vendim të menjëhershëm, pavarësisht se edhe ajo ishte paraqitur jashtë afateve kohore që përcakton ligji. Siç edhe u konkludua gjatë diskutimit, një media nuk është e nevojshme që të bëjë një kërkesë të tillë për akreditim vëzhguesish, pasi asaj i lind e drejta në zbatim të misionit të saj informues, që të jetë e pranishme në çdo qendër apo grup numërimi, pa qenë e nevojshme që të regjistrohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›