E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Topi: Po nuk fitove, duhet ta pranosh

Çdo qytetar në Shqipëri, çdo institucion ka kontributin e vet, por në radhë të parë, kontributi për të realizuar zgjedhje të lira, të ndershme, është te partitë. Me këtë konstatim u është drejtuar dje kreu i shtetit, Bamir Topi, disa përfaqësuesve të Parlamentit Rinor, të cilët i priti në një takim në vigjilje të zgjedhjeve të 8 majit. Në vlerësimin e tij, performanca e partive, e kandidatëve të tyre do të bëjnë të mundur që ne të marrim notë pozitive, që kur të hartohet Raporti i Komisionit Europian të kemi një vlerësim pozitiv dhe jo vlerësime, të cilat janë të një natyre shumë relative. “Ne kemi parë dhe vazhdojmë të shohim një përballje të ashpër, ndoshta jo dhe aq shumë të kandidatëve midis tyre, por të stafeve, por kjo është një veçori e këtyre zgjedhjeve, por edhe të përfaqësuesve të medias. Media është një instrument i jashtëzakonshëm i demokracisë”, konstatoi Presidenti. Unë kam konstatuar personalisht, tha Topi, dhe padyshim që vjen në sens kritik: ashpërsi në komunikim, retorikë të ashpër, e cila transmetohet tek ambienti publik në mënyrë të tillë, që vjen e përkthehet edhe në momente dhune. “Pra ajo që është e papranueshme në realitetin tonë është përdorimi dhunës, pavarësisht nga votimi, por ajo që është shumë e rëndësishme dhe dëshiroj ta ndaj me ju sot dhe ta përcjell te politikanët, tek ata që angazhohen drejtpërdrejt me stafet e kandidatëve, te vetë kandidatët, pavarësisht se konkurrojnë për bashki apo komuna, që të injektojnë një klimë të qetë në përmbyllje të fushatës”, këmbënguli kreu i shtetit. Topi shprehu dëshirën e tij që të mos kishte një përballje tifozësh, pasi sipas tij, shohim që ka më shumë protagonizëm të tifozëve, ka më shumë protagonizëm të analistëve të medias sesa të kandidatëve drejtpërdrejt. Duke ju referuar Papa Gjon Palit II, Topi dha mesazhin e dalë prej tij se “guxoni të thoni të vërtetën, sepse e vërteta është baza e lirisë, dhe liria është baza e demokracisë”. Fatkeqësisht, konstatoi kreu i shtetit, kjo periudhë e fushatës elektorale iku pa debat. Topi sqaroi se njerëzit e kanë këtë mundësi dhe se roli i jashtëzakonshëm i medias të jep mundësinë që nëpërmjet ekraneve televizive, të kesh mundësi që duke u përballur disa herë kandidatët midis tyre, të japin vizionet specifike për qytetin. “Mund të diskutohej për infrastrukturë rrugore, mund të diskutohej për artin, kulturën, që është një dimension i jashtëzakonshëm shpirtëror i qytetit, mund të diskutohej për sportin. Njerëzit janë të ndjeshmërive të ndryshme. Mund të diskutohej për jetën sociale në qytet. Mund të diskutohej për të moshuarit. Ne nuk mund të japim leksione ‘ex catedra’ nga institucioni për kandidatët. Secili e shpalos vetë, secila parti e shpalos vetë, por unë kam rastin të shpreh një perceptim qoftë timin personal, qoftë tuajin që ju e shprehët, por edhe të qytetarëve që unë kontaktoj çdo ditë, të gjithë kanë nevojë të informohen në mënyrë reale, sepse sa më shumë zhurmë të bëhet, aq më shumë kakofoni krijohet”, insistoi Topi. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›