E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Plani ynë për komisionerët rezervë dhe rrjetin e ruajtjes së votës

Një pjesë e shqiptarëve mendojnë se jemi vend i shkatërruar në lindje?

Ka shumë mosbesim te vendi dhe kjo ndodh për shkak se qeveria nuk varet nga populli, por populli vazhdon të varet nga qeveria.

Sa përgjegjës jeni ju për këtë realitet?

S’jam njeri i përsosur, por jam si gjithë të tjerët. Nga ana tjetër, duke njohur faktin e thjeshtë se jam një qenie e gabueshme, përpiqem në mënyrë konstante që të mos përsëris të njëjtat gabime dhe të përmirësoj sa të mundem veten dhe punën në funksion të kësaj.

Keni nënshkruar një pakt me qytetarin sot. Çfarë është ai?

Është një kurorëzim i një procesi komunikimi dhe sintezë e një përpjekjeje të gjatë. Një përpjekjeje ku ne jemi vendosur përballë regjimit të sotëm, jo thjesht si një kundërpeshë, por edhe si një alternativë për të ardhmen.

Keni thënë sot se, do krijoni 300 mijë vende të reja pune. Në këto 11 vjet, sa vende pune keni hapur në krye të Bashkisë?

Ajo nënkupton në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe nënkupton harkun e katër viteve të ardhshme. Pra një kontribut të përbashkët të të gjithë të zgjedhurve tonë vendorë, që brenda katër vitesh do arrijmë. Mundësitë e njësive vendore në Shqipëri, aktualisht janë të kufizuara, por mund t’u them një shifër që thjeshtë. Vetëm nga sektori i ndërtimit, ne kemi krijuar çdo vit 30 mijë vende pune. Ju siguroj se bazuar mbi programin e zhvillimit të qëndrueshëm në Tiranë, program me vizion 10-vjeçar, por i përshpejtueshëm, potencialet e jashtëzakonshme që ka vendi, jo vetëm që kjo nuk është e pamundur, por gjithçka mund të realizohet.

Pjesë e paktit të sotëm ishte shtrirja e vizionit të Tiranës te bashkitë e tjera. Kush ju ka thënë që Tirana është model i mirë?

Tirana, në pikëpamjen time, është i vetmi model qeverisës që ne kemi, nëse i referohemi standardeve dhe kritereve se si vlerësohet qeverisja. Një sërë përmirësimesh që janë bërë në një sërë qytetesh, erdhën si rezultat i rrezatimit të këtij modeli që ishte guri i parë në transformimin e qeverisjes vendore.

Besoni te Shqipëria e bojkotit, konflikteve dhe tensionit?

Kjo është vetëm një shprehje e një përpjekjeje, që në Shqipëri bëhet në funksion të një qëllimi dhe qëllimi është pikërisht e ardhmja e ndritur e këtij vendi. E përsëris, në kohë të ndryshme e për arsye të ndryshme ka qasje të ndryshme. Nëse do të më thoshit se a beson te Shqipëria e bojkotit si vizion, do thosha jo. Nëse do më thoni se bojkoti ynë, a ishte mjeti i duhur për të mbrojtur demokracinë dhe për të ju kundërvënë një regjimi kusarie absolutisht që ishte.

Ju vazhdoni me tezën tuaj se, në 2009 vota u deformua?

Nuk është teza ime, por një fakt. Një numër materialesh që shtimë në dorë, pas një operacionit të paligjshëm të gangsterit që është në krye të KQZ e që fotokopjoi për qëllimet e PD materialet zgjedhore, dëshmon shumë prova për këtë.

A keni përgjegjësi për ndarjen e opozitës në 2009?

Ne nuk ishim të ndarë mes opozitës, por mes atyre që ishin në opozitë, si alternativë e Saliut dhe atyre që ishin në krah të opozitës, si opozitë e opozitës për llogari të Saliut. Ne jo vetëm nuk kemi humbur për këtë shkak, por përkundrazi e majta, qendra e majtë dhe fronti socialist, është çliruar nga një shëmbëlltyrë politike, e cila shpresoj të shpërbëhet një orë e më parë, për të mirën e vendit dhe vet politikës shqiptare. E kam fjalën për, ndjesë pastë, LSI-në apo atë që në mënyrë shumë elokuente e quajti dikush, as pozitë e as opozitë, por depozitë.

E keni fjalën për Ilir Metën që ishte aleati juaj. I mirë kur e keni pranë e i keq kur e keni larg?

Ishte aleati ynë në një kohë kur mendonte dhe vepronte në mënyrë harmonike, me interesat e gjithë kampit opozitar, por njerëzit pësojnë transformime nga më të ndryshmet, lajthisin e komprometohen, korruptohen dhe kriminalizohen. Ka lloj-lloj arsyesh e formash, që i bëjnë njerëzit të mos jenë më ata që ishin.

Zotin Prifti, si e morët pranë?

Në opozitë njerëzit vetëvendosen.

I keni premtuar post ministri, nëse vini në pushtet?

Nuk i kam premtuar asgjë.

Pse nuk dilni mbi standardin ju, kur e thirrni njësoj si zoti Berisha, që ju thotë ju Edvin Rama, ju i thoni Luli i Saliut....

Nuk mund të bie në batakun e një kandidature që jo fyen, por e poshtëron inteligjencën dhe moralin e kësaj shoqërie, sado e brishtë është ajo në moral, por që asnjëherë nuk ka dëshmuar të jetë e brishtë në inteligjencë. E konsideroj një moment kritik për shoqërinë tonë, përtej të gjitha të tjerave, pasi kam pasur edhe gara të tjera me rivalë që nuk ua kam përmendur emrin, pasi nuk kanë qenë ata rivalët. Nuk janë ata rivalët, kur është Saliu pasi është ai dhe të tjerët, janë njerëz të vendosur prej tij si gurë shahu, që lëvizin në bazë të vullnetit të të vetmit lojtar të shahut. Asnjëherë situata nuk ka qenë e tillë dhe sfida që i është bërë kryeqytetit nuk ka qenë e tillë. Sfida është e hapur, për të legalizuar fundin e një marrëdhënie morale mes qeverisjes, mes qeverisë dhe publikut. Ky është fundi dhe këtë lloj kandidature, asnjë shoqëri e emancipuar nuk do ta kishte pranuar si një mundësi teorike. Unë flas nga pozitat e një njeriu që modestish e njeh kulturën demokratike të botës ku duam të integrohemi dhe modestish mund tu sjell ju me dhjetëra shembuj për të provuar këtë që them. Njeriu që kandidon për Bashkinë e kryeqytetit është më shumë se një person, madje ai nuk ekziston. Si person ekziston, pasi nuk do të kishin humbur 230 milionë euro nga rruga e kombit, po të mos ekzistonte nuk do ishte shembur Zogu i Zi, apo shitur deti te vendi fqinj. Pra nuk do kishin ndodhur as ato që ndodhën më 21 janar, por ne po flasim për një kandidaturë e për këtë arsye unë e konsideroj krejtësisht në përputhje me të vërtetën, faktin se këtu jemi përballë një kandidaturë që nuk ekziston si kandidaturë, por si një sfidë e hapur, që i bëhet një shoqërie të tërë. Fatkeqësisht është si një lakmues për kalbëzimin e një pjese të madhe të botës mediatike dhe kalbëzimin e një pjese të madhe të atij pellgu intelektualësh, të ashtuquajtur që në të gjitha regjimet kanë provuar se janë të gatshëm të jenë me të, pavarësisht se çfarë mund të përfaqësojë, majtas e djathtas, apo fashizëm e demokraci qoftë.

Për cilët intelektualë e keni fajin. Ata që ju kanë tradhtuar juve?

Një njeri nuk gjykohet që jep miqësi. Unë jam një njeri që jep miqësi dhe në rast se miqësitë e dhëna tradhtohen, në motivacionin e tyre, dhe në rast se një miqësi është një urë për të ndarë vlera e kuptime për botën, e këto vlera ndryshojnë, atëherë nuk akuzohet ai që jep miqësi, por ai që e tradhton.

Pse nuk jeni përballur në debat me rivalin tuaj?

Sepse ai nuk ekziston.

Ka komente për mosbërjen e debatit, thatë që nuk ekziston?

Zotëria ekziston dhe ka disa çështje të hapura që mund t’i debatojë me Prokurorinë dhe me gjykatën, por unë nuk po ndalem këtu...

Çfarë keni bërë ju që të shmangni, që të ndalnit dhunën ndaj institucioneve, Kushtetutës?

Kemi bërë gjithçka që kemi pasur në dorë si opozitë. Nuk kemi përballë një qeveri, por një regjim, që ka vjedhur votat dhe që më 21 Janar vrau për të vazhduar të vjedhë.

Mendoni se do rrëzohet kjo alibi në rast se nuk fitoni?

Kjo nuk është alibi, por është fakt...

Partnerët ndërkombëtarë e njohin si qeveri legjitime dhe ju thonë që të jeni edhe ju në rrugën e dialogut...

Kjo është një qasje që unë nuk e ngatërroj me rolin dhe detyrimet që ka opozita e këtij vendi. Partnerët ndërkombëtarë nuk janë as për të qeverisur, as për të bërë opozitën. Janë këtu për të dhënë sa munden, që Shqipëria në raport me komunitetin ndërkombëtar të ecin bashkarisht

Keni besim te Prokuroria?

Unë mendoj që prokuroria bën sa mundet, por nuk mund të bëjë më shumë në kushtet kur është e kërcënuar në mënyrë mafioze nga regjimi në fuqi.

Ju vetë jeni ndalur ndonjëherë në shpenzimet tuaja?

Për punën që bëj, nuk kam asnjë arsye që të them se me rrogën që marr dhe me mundësitë që unë kam për të bërë një jetë krejt normale, të mund të flas për një çështje që është çështje e ditës e familjeve me njerëz të papunë apo me rroga shumë të ulëta.

Jua bëra këtë pyetje, sepse një pyetje në FB thotë sa miliarda lekë keni bërë?

Pyet Saliun.

Po gjithë fajin, Saliu e ka?

Po kush e ka fajin tjetër, për papunësinë, për varfërinë, sepse ka edhe një rrugë tjetër që ta lënë fajin pa baba siç thuhet, por kjo nuk është rruga e një shoqërie demokratike dhe sigurisht përgjegjësitë janë të ndara në nivele, por fajin e ka Saliu.

Një koment për këtë fushatë, si ju duket?

Fushata e kësaj here ka një specifikë, që nuk e ka pasur me sa mbaj mend tjetra apo tjetra. Ajo është një fushatë e qeshur në ekrane, një fushatë presionesh dhe shantazhesh mbi njerëz të zakonshëm të këtij vendi... Si mund të kërcënohen mësuesit në një vend dhe ky kërcënim të konsiderohet një normalitet...Më 8 Maj të gjithë duhet të shkojnë të votojnë për të çliruar mësuesit e tyre dhe gjithë të tjerët për të çliruar një shoqëri që sot ka frikë... Ka akuza se edhe ju po përdorni administratën?

Këto janë broçkulla, sepse dihet që Bashkia e Tiranës është një institucion që funksionon mbi bazën e një manuali procedurash, për çdo njeri që punon aty nga drejtori e deri tek specialisti më i thjeshtë dhe është një institucion në të cilin rekrutimet janë bërë gjithnjë mbi bazën e meritës...

Kush tha që ju jeni rruga më e mirë apo e vetmja...

Ka dy rrugë; rruga e Saliut që vodhën zgjedhjet, që vranë, që kërcënojnë mësuesit, që shkelin ligjet për interesa vetjake, rruga e atyre që e kanë kthyer padrejtësinë në sistem, që po e bëjnë varfërinë status të gjithë atyre njerëzve që e kanë të pamundur që të ecin pa një mbështetje dhe nga ana tjetër është rruga jonë, që ka qartësisht predispozitën për të qëndruar përballë kësaj të keqe dhe nga ana tjetër ka të gjithë fuqinë e aspiratave për t’i çuar punët përpara... Ndërkohë që Saliu thotë që këto janë zgjedhje vendore a mund të na thotë një qytet apo një komunë që e qeveris Saliu dhe ku qytetarët mund të shohin se ç’kupton ai me vizion, me plan urbanistik dhe me zhvillim, se këtë plan urbanistik që ata flasin e kanë bërë si presje kundër çdo bashkie që ne qeverisim...

Po kjo e vetmja rrugë sipas kundërshtarëve tuaj ka sjellë edhe praktikat e 20%-shit dosje direkte?

20%-in e gëlltitën siç e nxorën. Të mos shkojmë më tutje, se pastaj nuk dihet se kush e ka kapur njëri-tjetrin...

Ka skenar për bojkot?

Këto janë broçkullat e Saliut.

Çfarë do të ndodhë në datën 9 Maj?

Asgjë nuk do të ndodhë më 9 Maj, sepse jemi fitues dhe kemi të gjitha arsyet të bazuara në marrëdhëniet me njerëzit, në kontaktet me ta, në anketimet tona që të themi jemi fituesit dhe për ne gjithçka është qetësia e zgjedhjeve dhe pjesëmarrja sa më e lartë në zgjedhje...

Është e vërtetë që ju keni lista rezervë komisionerësh?

Ne kemi bërë të gjithë përpjekjen tonë për transparencën dhe për të vendosur ligjin. Transparenca do të bëhet dhe ne në një mënyrë ose një tjetër i siguruam një numër materialesh zgjedhore dhe ata që i kanë firmosur ato materiale herët ose vonë do të ballafaqohen në organet e drejtësisë, ndërkohë që ne kemi ndërtuar punën për ta përballuar trysninë e regjimit, sigurisht që gjeja më e rëndësishme është pjesëmarrja.

Çfarë është ushtria e mbrojtjes së votave?

Nga kazermat e Arben Imamit ka dalë? Nuk ekziston koncepti i ushtrisë, por ne jemi shumë herë më të vëmendshëm dhe më të organizuar sesa herët e tjera... ka një rrjet njerëzish që merren me këto çështje

Çfarë pritshmërie keni ju ndaj rezultatit të këtyre zgjedhjeve?

Ne do t’i fitojmë këto më 8 Maj.

Do të fitoni votë popullore?

Ne në 8 maj do të fitojmë sepse e vetmja rrugë për Shqipërinë, Tiranën, Durrësin Elbasanin dhe për Korcën është rruga jonë.

Por nëse nuk fitoni?

Ne kemi një model qeverisës kemi një program dhe një alternativë për të ndryshuar Shqipërinë. Ne jemi në këtë rrugë për të ndryshuar Shqipërinë

Do të jepni dorëheqjen si kryetar i PS-së në rast se nuk fitoni?

“Aleanca për të Ardhmen” nuk do të humbasë zgjedhjet. Nuk është farë obsion humbja

Po në rast se fitoni do të kërkoni zgjedhje të parakohshme?

Unë jam i fokusuar tek 8 maji.

Cilat janë pikat kryesore të paktit tuaj?

Në paktin tonë, kemi tre pika: punësimin dhe luftën kundër papunësisë, kemi familjen si kujdes, përkrahje dhe mbrojtje dhe ku angazhohemi që mos të ketë asnjë taksë për kategoritë në nevojë dhe ku të përgjysmojmë TVSH-në për ushqimin bazë dhe për ilaçet.

Më pyesin nëse pakti juaj qytetar është kopjim nga Berluskoni dhe mos është një kopje e keqe e “Iniciativës për Tiranën” e rivalit tuaj Basha?

Nuk ekziston rivali, është Saliu. Saliu po. Mund të më thoni nëse është një kopje e inisiativës së Saliut për Tiranën. Nuk ka asnjë lidhje me iniciativën e Saliut për Tiranën, fare.

Ju mungojnë fyerjet personale ndaj jush në këtë fushatë, sepse kemi një fushatë pozitiviste kësaj here?

Jo, nuk është një fushatë pozitiviste, por kemi një fasadë si të tillë.

A ka pasur kosto jeta juaj bashkëshortore në këtë fushatë?

Në këtë aspekt, kjo është fushata më e bukur për mua, sepse kam një mbështetje, ngrohtësi, një rrethanë në jetën time, që nuk e kam patur më parë. Që është një familje e mrekullueshme, e cila më krijon mundësinë që ta shoh të tërën në një sy dhe në një qetësi shumë më të madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›