“KQZ, rekord në transparencën e zgjedhjeve”
Flet Arben Ristani, kreu i KQZ-së
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, vlerëson raportin e
misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit. “Raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it vlerësoi se puna e KQZ-së për procesin e zgjedhjeve dhe mesa duket edhe për atë të numërimit mbajti rekord sa i takon transparencës dhe menaxhimit të punës”, tha Ristani.
Ai u shpreh se KQZ do të zbatojë ligjin edhe për disa problematika që janë shfaqur kryesisht në KZAZ-të e Tiranës nga numëruesit e votave. “KQZ do të veprojë me forcën e ligjit dhe nuk do të lejojë prishjen e këtij procesi”, deklaroi Ristani.
Ai tha se prania e përfaqësuesve të partive politike në KZAZ-të ku po numërohet është e dëmshme.
Kreu i KQZ-së, Arben Ristani bëri të ditur gjithashtu se me këtë vijueshmëri të procesit të numërimit do të duhen edhe 2-3 ditë për të pasur një rezultat për Tiranën.