LSI shpall se ka kapërcyer rezultatin e vitin 2009

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, publikon një sërë shifrash zgjedhore, duke lexuar si sukses përfaqësimin proporcional të këshilltarëve të saj në të gjithë vendin. Përmendet edhe fitorja e tyre në Lezhë e Çorovodë
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama tha dje gjatë një deklarate për shtyp, se kjo forcë politike në këto zgjedhje ka fituar më shumë vota se në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. “LSI, jo vetëm është e angazhuar dhe po kontribuon maksimalisht që ky proces të shkojë në përputhje me standardet që çojnë tek një rezultat korrekt, transparent, të drejtë e të ndershëm ashtu siç kanë votuar qytetarët shqiptarë”, - ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Rama. Ai e ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve të 8 Majit si një shenjë të qartë të pjekurisë së të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe të vendosmërisë së tyre për të ecur në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, dhe për të kontribuar kështu që Shqipëria të hedhë një hap më tej në rrugën e integrimit evropian. Ndërsa në lidhje me rezultatet paraprake, të shpallura nga KZAZ-të përkatëse për LSI-në, në disa njësi, Rama tha se në 66 njësi vendore, të cilat janë kryesisht komuna, LSI ka marrë 19300 vota nga 11600 të tilla të marra në zgjedhjet e vitit 2009. “Ne kemi të konfirmuar tashmë fitoren në dy bashki, në Bashkinë e Lezhës dhe në Bashkinë e Çorovodës. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se vetëm në Rrethin e Tropojës ku kanë dalë rezultatet përfundimtare të shpallura nga KZAZ, LSI ka marrë 1016 vota nga 191 vota të marra në vitin 2009 apo krahasuar me vitin 2007 ku janë marrë 579 vota. Ai gjithashtu ka informuar opinionin publik se në të gjithë Njësitë Vendore në rrethin e Tropojës, rritja e votave pro LSI-së është me disa fish. Më tej, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Rama vijoi këtë deklaratë duke theksuar se në Bashkinë e Bajram Currit nga 89 vota të marra në vitin 2009 në zgjedhjet e 8 majit për LSI-në kanë votuar 287 vetë ose për Komunën Bujan nga 18 vota të marra në vitin 2009, kanë votuar për LSI 159 votues”, vijoi më tej deklaratën e tij Luan Rama.
...