Zgjedhjet vendore, në interesin e mediave ndërkombëtare
Zgjedhjet lokale në Shqipëri po ndiqen me interes edhe nga mediat ndërkombëtare.
“ANSA” dhe “Corriere della Sera” kanë bërë publike raportin paraprak të OSBE-ODIHR duke theksuar se “zgjedhjet administrative të 8 majit në Shqipëri kanë qenë konkurruese dhe transparente”.
Sipas dy mediave italiane, “zgjedhjet janë zhvilluar në respekt të standardeve të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, por në një atmosferë shumë të polarizuar dhe mosbesimi nga ana e partive”.
Në tërësi mediat italiane e konsiderojnë 8 majin si test për stabilitetin politik të vendit, por mbi të gjitha për ardhmërinë e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Shpresa e qytetarëve shqiptarë është që këto votime do të arrijnë ta nxjerrin vendin nga paraliza politike që e bllokon prej dy vjetësh e ta rikthejë në binarë drejt bllokut europian. Komuniteti ndërkombëtar i sheh dhe ai këto zgjedhje si provë maturie të Shqipërisë, në ngërç politik që prej zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. 8 maji cilësohet si një tjetër betejë në kryeqytet mes mazhorancës së kryeministrit Berisha dhe opozitës socialiste me në krye Edi Ramën. Sipas mediave italiane, rezultati i zgjedhjeve nuk pritet të prodhojë shifra drastikisht larg njëra-tjetrës, duke qenë se lufta mes dy kampeve është e fortë dhe diferenca e ngushtë.