Durrësi i nëndheshëm, një fortesë e padukshme
Në 10-vjeçarin e fundit të diktaturës komuniste në vendin tonë, në një kohë që linja komuniste nuk kishte gjasa për të ndryshuar kursin e vet, që kishte nisur menjëherë pas çlirimit, shteti në këtë kohë mendonte marrjen e masave shtesë për përballimin me sukses të “sulmeve armike” nga jashtë. Qëllimi ishte që Shqipëria t’u bënte ballë sulmeve ushtarake, bombave atomike, por edhe katastrofave natyrore, që mund të shkaktonin dëme të konsiderueshme ekonomike dhe paralizim të jetës normale. Në fillim të viteve ’80, Këshilli i Ministrave ngarkoi një drejtori të veçantë, atë të Mbrojtjes Civile për ndërtimin e tuneleve dhe vendbanimeve të nëndheshme, që do të shërbenin në kohë emergjence në ndihmë të popullatës. Tunele të pafundme nisën të ndërtohen në të gjithë vendin, të cilat kanë kushtuar shuma marramendëse lekësh. Fondet për ndërtimin e tyre, megjithëse të kushtueshme, kishin si burim jo buxhetin e shtetit, por ndërmarrjet në rrethe, për të cilat komiteti ekzekutiv bënte planin për çdo ndërmarrje. Është e tepërt të thuhet se ndërmarrjet nuk bindeshin për të plotësuar planin “ekstra” që kërkohej për drejtorinë që kishte dijeni vetëm këshilli i ministrave. Një numër i madh tunelesh ose vendbanimesh të nëndheshme janë ndërtuar edhe në Durrës, të cilat dukej se kishin projektuar Durrësin e nëndheshëm që do të funksiononte në rast lufte. Lutfi Shehu, ish ushtarak dhe shef i emergjencave civile në rrethin e Durrësit për 12 vjet, tregon se si u hartuan projektet në fillim të viteve ’80 dhe ndërprerja e punës pas 10 vitesh, kur në vendin tonë u vendos pluralizmi. Lutfi Shehu, tashmë 72 vjeç, tregon se ndërtimet që janë bërë duke nisur nga viti 1981, deri në 1991, janë ndërtime të projektuara për t’i bërë ballë edhe goditjeve më të fuqishme që mund të vinin nga rrugë të ndryshme. Këto ndërtime kishin një mision të caktuar, shprehet ai, që do të thotë se jeta duhet të vazhdojë edhe në kohë lufte apo katastrofash.
Dhjetë tunelet që do të mbanin
gjallë jetën e qytetit në rast lufte
Vendi për ndërtimin e tuneleve të nëndheshme u zgjodh që të ishte në rrëzë të kodrave të ndryshme të qytetit. Në kodrën e vilës gjenden dy të tillë. Sipër lagjes “Stan” është ndërtuar i pari tunel gjigant, si vendstrehim për parkimin e më shumë se 300 automjeteve. Ky tunel gjigant që i bie që të jetë disa metra në thellësi të vilës së Zogut, ka në brendësi 6 tunele të tjera. Më pas është ndërtuar tuneli që do të shërbente si vendkomanda e rrethit. Ai është ndërtuar te kodra e Kokomanëve dhe është një objekt i madh që përbëhej nga 85 dhoma të vogla, kryesisht të përshtatura si ambiente zyrash. Ky objekt është i përfunduar dhe aktualisht hyrja e tij është mbyllur me anë të një dere të rëndë prej betoni. Ndërtimi i tretë dhe që mund të konsiderohet më i madhi, është spitali nëntokësor. Ai është ndërtuar në afërsi të ish repartit të tankeve dhe u projektua me një kapacitet prej 500 shtretër gjithsej. Për këtë spital përfundoi hapja e tunelit, betonimi i tij, krijimi i ambienteve për të gjitha shërbimet, si dhe ndërtimi i depos së ujit që do të furnizonte për një muaj nevojat e spitalit. Spitali konsiderohet i papërfunduar, pasi mungon rrjeti hidraulik, elektrik dhe sistemi i aspirimit dhe kondicionimit. Objekti i katërt është frigoriferi. Ai është ndërtuar tek vendi që quhet “depoja e Vangjelit” dhe ka kapacitet ruajtës të ushqimeve në masën 300 ton. Frigoriferi është përdorur për disa kohë në fund të viteve ’80 dhe aty mbahej djathi, mishi, perimet dhe zarzavatet. Është në gjendje pune, me të gjitha pajisjet dhe gjendet përballë komandës së marinës. Matanë liqenit që ndodhet në këtë vend, gjendet magazinat e nëndheshme të tregtisë së asaj kohe. Ai është një tunel gjigant i ndarë në shumë xhepa brenda tij. Një objekt tjetër i ndërtuar në këto vite ka qenë edhe stalla e lopëve, me kapacitet për mbarështimin e 500 krerë lopë. Ky tunel u ndërtua poshtë kodrës, aty ku ka qenë bateria kundërajrore tek reparti i tankeve. Aty ka tunele të përfunduara për ruajtjen e lopëve dhe i pajisur ma ajrim dhe gjithçka të nevojshme. Fabrika e bukës gjendej përkarshi stallës së lopëve. Edhe kjo u përfundua në pjesën më të madhe të saj dhe u provua funksionimi i saj, por mbeti pa ndërtuar vetëm oxhaku që do të dilte mbi tokë. Kjo fabrikë ishte llogaritur që të furnizonte me bukë qytetin e Durrësit me mbi 80 mijë banorë. Afër fabrikës u ndërtua edhe fabrika e blojes, e betonuar dhe e pajisur me mjetet e domosdoshme. Në kodrën e Vilës janë ndërtuar edh dy tunele të tjera që do shërbenin si repart rrobaqepësie dhe këpucarie në kohë lufte ose katastrofash. Të gjitha këto tunele pritej të merrnin jetë sapo të jepej alarmi nga komanda e lartë, e cila gjithashtu kishte vendin e saj të strehimit nën dhe. Shumica e tyre sot kanë mungesë vetëm të sistemit të ajrimit dhe aspirimit dhe mund të vihen në punë për qëllime të ndryshme.
Materiali i përdorur dhe ndërprerja
e punimeve në vitin 1991
Lutfi Shehu tregon se për ndërtimin e këtyre objekteve të rëndësishme është përdorur hekur dhe beton i cilësisë më të mirë që kishte vendi ynë në atë kohë. Hekuri i përdorur në këto tunele ka qenë i njëjtë me atë që u përdor për hidrocentralin e Fierzës, ndërsa betoni ishte i markës 400 e sipër. Objektet në fjalë ishin në varësi të drejtorisë së Mbrojtjes Civile, e cila varej nga Këshilli i Ministrave. Ndërtimi i tyre u bë nga kantieri i mbrojtjes civile i ngritur posaçërisht për këtë punë, por ai ishte edhe në varësi të ndërmarrjes komunale. Në lidhje me fondet për këto ndërtime, çdo ndërmarrje punonte për fondin rezervë që shkonte për sigurimin e miliona metra kub beton dhe ton hekur. Me këtë mënyrë ishte menduar që të mos rëndohej buxheti i shtetit, ndërkohë që kjo rrugë financimi kishte bërë që në këto lloj punimesh të mos ndihej fare kriza që kishte nisur të trokiste në shtetin komunist. Kantieri i ngritur në Durrës përbëhej nga rreth 60 punëtorë, specialistë dhe inxhinierë. Teknikët dhe punëtorët kanë qenë shumë të kualifikuar për punime të brendshme nëntokësore. Ata kishin marrë përvojë në ndërtimet e hidrocentraleve të Shkopetit dhe Bistricës dhe pas tyre erdhën në Durrës. Në lidhje me teknikën e ndërtimit duhet thënë se nuk ka qenë ndonjë teknikë moderne. Janë përdorur traktorë gërmues për hapjen në thellësi të tuneleve që u siguruan nga reparti i xhenjos së ushtrisë. Etapat e tjera të punës për hapjen e tuneleve kryheshin me baromina, shpërthime, plasje etj. Në fillim të viteve ’90 u pezullua komplet puna për ndërtimin e mëtejshëm të tyre, pasi ndryshuan destinacionet e ndërmarrjeve, ndërkohë që vendi hyri në një krizë të thellë ekonomike.
Kostoja e ndërtimit dhe përshtatja
e tyre në kushtet e sotme
Nuk dihet se sa kanë kushtuar hapja dhe ndërtimi i të gjithë tuneleve që gjenden në Durrës. Nga një llogari që është bërë nga grupi që drejtonte punimet në atë kohë, vetëm spitali i nëndheshëm i Durrësit kishte kushtuar rreth 7.8 milionë lekë (të vjetra) të asaj kohe, në rast se kjo shumë konvertohet me vlerën e dollarit në vitet e komunizmit, llogaritet që vetëm spitali i nëntokësor të ketë kushtuar 105 mijë dollarë amerikanë. Lutfi Shehu tregon tashmë pas shumë vitesh nga ndërprerja e punimeve se projektet për ndërtimin e tyre janë marrë nga vendet nordike, kryesisht Suedia dhe Norvegjia. Më pas ato janë përshtatur dhe zbatuar për ndërtim në Durrës dhe zona të tjera të vendit. Për këto projekte punonte posaçërisht Instituti nr. 2 i veprave ushtarake. Por çfarë mund të bëhet në këtë kohë me këto objekte që duket se kanë mbetur në mëshirë të fatit? Lutfi Shehu për këtë pyetje përgjigjet se shteti mund ti shfrytëzojë për magazinim, kantina verërash, parkingje, fabrika dhe punishte të llojeve të ndryshme, komplekse për rritjen e kërpudhave etj. Në vitin 1991, kur puna për ndërtimin e tyre sapo ishte ndërprerë, ka pasur kërkesa nga subjekte të ndryshme që aty të krijoheshin komplekse serash për rritjen e kërpudhave. Aktualisht nuk dihet se cila ministri i ka në inventar këto ndërtime që kanë kushtuar qindra milionë lekë në atë kohë, pasi në shumë raste në hyrjet e këtyre tuneleve janë ndërtuar shtëpi, apo janë bërë mure dhe ambiente të llojeve të ndryshme. Në atë kohë Këshilli i Ministrave me sforcime dhe mundim arriti që të krijojë regjimentin e mbrojtjes civile dhe bëri të pamundurën për të pajisur me mjetet e duhura këtë sektor jetik në raste përmbytjesh, zjarresh, tërmetesh apo dhe lufte. Sot nuk ka asnjë interes dhe nuk vlerësohet sa duhet sektori i mbrojtjes civile, në një kohë që në shumë shtete ekziston më vete ministria e mbrojtjes civile.
Përmbytjet e sotme, dëshmi e mosseriozitetit
dhe mungesës së mbrojtjes civile
Përmbytjet që ndodhin vazhdimisht në Durrës dhe në zona të tjera të vendit nga reshjet e shiut tregojnë se askush nuk e merr me seriozitet mbrojtjen civile dhe emergjencat në situata të tilla. Lutfi Shehu tregon se në atë kohë nuk mund të imagjinohej që masë për parandalimin e përmbytjeve të merreshin në nëntor apo dhjetor. Ato ishin marrë me kohë, ndërkohë që po kaq e pamendueshme është që hidrovori të pësojë defekt dhe energjia të mungojë aq sa të përmbytet menjëherë Durrësi. Ai është një objekt i rëndësisë së veçantë dhe bashkë me ujësjellësat, depot e tyre dhe spitalet, duhet të kenë linja të pavarura për furnizimin me energji elektrike.
Situata emergjente e marsit 1987 në
Shkodër dhe kapërcimi i situatës
Lutfi Shehu tregon se në mars të vitit 1987 në qytetin e Shkodrës shpërtheu një erë mjaft e fortë. Fortunali bëri që në zonën e Koplikut të rrëzohen 5-6 shtylla elektrike të tensionit të lartë që vinin nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Kjo linjë furnizonte me energji elektrike Shkodrën dhe Lezhën dhe rrëzimi i shtyllave nga era e fortë bëri që dy qytetet e mësipërme të pezullohet tërësisht. Nga masat jo të plota që ishin marrë për të siguruar energji elektrike në rrugë paralele, ose me gjeneratorë, Shkodra mbeti pa bukë. Qeveria në Tiranë vuri alarmin dhe për të furnizuar me bukë këtë qytet, iu ngarkua detyrë Durrësit që të mbante në gjendje pune për 24 orë furrat e bukës. Për afro tre javë në Durrës bëheshin dy plane shtesë bukë që shkonin në Shkodër, e cila në këto ditë të vështira është furnizuar me bukë edhe nga Shijaku, Kavaja dhe Lushnja pjesërisht. Në këtë kohë krizë u prodhuan bukë edhe në furrën e nëndheshme në afërsi të repartit të tankeve, çka ishte një rast i mirë për të testuar këtë furrë të krijuar për raste lufte.