KQZ, rrëzohen kërkesat për 3 qendrat në Fier
TIRANË- Pas debatesh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën për pavlefshmëri në tre qendrat e votimit në Qarkun e Fierit. Me shumicë votash është hedhur poshtë kërkesa e kreut të komisionit, Ristani për pavlefshmëri dhe bashkë me të, edhe ajo e dy anëtarëve për rivlerësim të votave në gjithë Qarkun.
Bëhet fjalë për qendrat 3119, 3120, 3121 në të cilat nuk janë zhvilluar zgjedhjet për shkak të mungesës së komisionerëve.
Përfaqësuesja e PS-së, Deshira Subashi ka thënë se objekti i shqyrtimit për shpalljen e pavlefshme të tre qendra në Fier, ku nuk është votuar duhet të ishte shoqëruar me tabelën e rezultateve.
Ka qenë vet kreu i këtij institucioni, Arben Ristani, ai që duke lexuar rendin e ditës për mbledhjen e sotme, ka përfshirë si një pikë të saj edhe miratimin e një vendimi për të shpallur të pavlefshme votimin në tre qendra votimi në komunën Portëz të qarkut të Fierit ku në 28 qershor nuk u zhvilluan fare zgjedhje. Proces ky që megjithëse i nevojshëm, rezulton të jetë në kundërshtim me procedurat që përcakton Kodi Zgjedhor, pasi është jashtë afateve kohore për shkak se KQZ-ja ka miratuar para disa ditësh tabelat përmbledhëse të rezultateve të këtij qarku. Por pavarësisht se një akt formal, ai rrezikon të shfrytëzohet nga PD, së cilës i krijohet mundësia në këtë mënyrë për të bërë kërkesën, qoftë për të kryer votimin në këto qendra për shkak se votat e tyre mund të ndikojnë në rezultatin final, atë të ndarjes së mandateve, ose më e keqja akoma mund të paraqesin edhe kërkesën për të shpallur të pavlefshëm të gjithë procesin zgjedhor në qarkun e Fierit. Edhe pse të dyja këto variante mund të konsiderohen të pamundura për t'u realizuar për shkak se për tu miratuar kërkojnë 5 vota, ato mund të kenë vlerë për demokratët, për tu paraqitur më pas në Kolegj ku edhe aty mund të shtrojnë të njëjtat kërkesa.
15 korrik/ ora 15.20
KQZ për Shkodrën, rrëzon PS-në, hap kutitë e ankimuara nga PD-ja
TIRANE- KQZ i ka dhënë OK kërkesës së PD për të hapur dy kuti të konsideruara si të parregullta nga KZAZ-ja e qarkut Shkodër. Ndërkohë në mesditë KQZ rrëzoi kërkesën e PS për hapjen e disa kutive të tjera te po ketij qarku.
Nga përfundimi i numërimit të kutisë së parë të KZAZ 41, Partia Demokratike rezultoi me 278 vota, ndërsa Partia Socialiste me 38 vota.
Më parë, anëtarët e majtë në KQZ kundërshtuan hapjen e kutisë pasi ishte e parregullt, ç'ka linte dyshime se aty mund të ishin shtuar vota. Ata kërkuan te mbetet në fuqi vendimi i KZAZ 41, që e ka konsideruar të parregullt këtë kuti. Ndërkaq nuk kanë qënë të të njëjtit mendim komisionerët e djathtë qe me shumice votash vendosën të hapin dy kutitë e ankimuara nga PD.
Në mbrëmje, Komisioni diskutoi për kutinë nr. 0342 që pasi u numërua u shpall e pavlefshme nga KQZ. Ky institucion nuk e përfshiu në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të qarkut të Shkodrës.
KQZ rrëzon për herë të tretë PS-ne, nuk hap as kutite e Shkodrës.
ora 14:30
TIRANË - Është rrëzuar sërish ankesa e PS-së për rivlerësim e votave. Sot KQZ mori në shqyrtim ankesën për qarkun e Shkodrës dhe me shumicë votash vendosi të mos hapet asnjë kuti e këtij qarku. Sipas kryetarit Ristani, KQZ s'ka kompetencë për të rinumëruar votat e gjithë qarkut.
Sipas tij, kërkesa e PS-së në këtë rast nuk është për rinumërimin e disa votave të caktuara, por për rinumërim të votave për një qark të tërë dhe kjo nuk është kompetencë e parashikuar në Kodin Zgjedhor, ndaj dhe kërkesa e dy anëtarëve është e pabazuar në ligj.
Ankesa e PS-së konstatonte parregullsi gjatë numërimit të votave në KZAZ-në nr. 40, 41, 42, 43 e 44, dhe ky subjekt kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave. Nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi duke mbështetur ankesat në fjalë kërkoi nga Komisioni që të zbatojë nenin 138 (pika 3), për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të votave.
Zgjedhjet në këtë qark janë kontestuar edhe nga Partia Demokristiane e cila ngriti pretendimin se në disa KZAZ të Shkodrës këtij subjekti nuk i janë lejuar vëzhguesit e tij të monitorojnë numërimin e votave, gjë që sipas tyre ka sjellë parregullsi dhe ka ngritur dyshime se votat nuk janë ndarë si duhet. Kërkesa u hodh poshtë nga KQZ-ja.