E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Qeveria e re do të mundësojë liberalizimin e vizave

Koalicioni i ri qeverisës mes demokratëve dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim do të bëjë të mundur sipas Ilir Metës përmbushjen e aspiratës për përfshirjen e Shqipërisë në familjen europiane si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj pa viza. Sipas Metës vendimi i Komisionit Europian për të mos përfshirë për momentin vendin tonë në listën e bardhë të vendeve të Shengenit ishte i pritshëm. Megjithatë kreu i LSI shprehet optimist se qeveria e re, ku do të bëjë pjesë dhe partia qe ai drejton, do të punojë për të përmbushur kushtet e vendosura nga BE për liberalizimin e vizave.
Ineteresit, jo pa vend të gazetarëve për të mësuar se kush janë postet që do kërkojë LSI për t’u përfaqësuar në qeveri, Meta i është përgjigjur i rezervuar. Sipas Metës ende nuk është negociuar për portofole konkrete pasi i rëndësishëm sipas tij, është bashkëpunimi me demokratët që do e çojë vendin në përmbushje të aspiratës europiane. Ndërkohë Meta i ka bërë thirrje forcave politike, të cilat hartuan Kodin Zgjedhor të mos bëhen pengesë për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›