Liberalizimi i vizave, PS: Jemi peng i qeverisë së Berishës
TIRANË- Pas propozimit të komisionerëve europianë që lanë jashtë listës së liberalizimit të vizave vendin tonë ka reaguar Partia Socialiste, e cila e ka quajur këtë një dështim të qeverisë.
Gjatë një komunikimi me mediat, kandidati për deputet në qarkun e Tiranës, Ditmir Bushati tha se "propozimi i fundit i Komisionit Evropian konfirmon atë që Partia Socialiste ka disa muaj që ua bën me dije shqiptarëve, duke nënvizuar vijimësisht se për shkak të paaftësisë e të korrupsionit të kësaj qeverie Shqipëria mbetet jashtë programit të heqjes së vizave me Bashkimin Evropian".
Sipas tij, shqiptarët e shqiptaret detyrohen të vazhdojnë të paguajnë, fare padrejtësisht, çmimin e lartë të mungesës së lirisë së lëvizjes në Evropë, për shkak të Sali Berishës e të një qeverie të kthyer në një biznes familjar.
Ai ka shtuar më tej se qëndrimi i Komisionit Evropian konfirmon se qeveria familjare e Sali Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Dhe jo vetëm këtu, por edhe në standardet për migracionin, menaxhimin e kufijve si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Sipas tij, qeveria e Berishës ka penalizuar padrejtësisht shqiptarët që do vazhdojnë të mbeten peng i regjimit të vizave, ndërkohë që qytetaret e Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi do të lëvizin lirisht në Evropë.
15 korrik/ ora 21.00
Basha: Liberalizimi për Shqipërinë, në 2010
TIRANË- Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, është shprehur sot se Shqipëria mund të përfitojnë nga procesi i liberalizimit të vizave me vendet e BE-së, vitin tjetër. Në ditën kur të gjitha shtetet fqinje marrin OK për të lëvizur lirshëm në Europë, Basha thotë se edhe për ne ka shpresa. "Dua të përshëndes propozimin e Komisionit Europian për rivlerësimin në vitin 2010, i cili tregon se procesi është i besueshem dhe nuk është thjesht fantazi. Në tërësi problematikat e kufirit janë adresuar në mënyrë të plotë nga pala shqiptare. Kemi fituar kredibilitet ndaj nderkombetareve", tha Basha. Sipas tij, Shqiperia dhe Bosnja janë të ndryshme dhe kriteri kryesor që nuk përfituan këtë vit janë pasaportat biometrike. "Ne jemi në rrugë të mbarë për ta permbushur këtë kriter", shtoi ministri.
Ndërkohë ai siguron se "ne nuk diskriminohemi nga Maqedonia apo Mali i Zi, pas ndryshimit të regjimit të vizave. "Do të funksionojnë marrëveshjet dypalëshe me fqinjët", tha Basha.
Liberalizimi i vizave, BE: Shqipëria dhe Bosnja jashtë listës
ora 12:00
BRUKSEL- Shqipëria dhe Bosnja kanë mbetur jashtë listës së vendeve ballkanike që do të udhëtojnë pa viza. Gjatë një konference për shtyp nga Brukseli, komisionerët europianë Jacque Barrot dhe Oli Rehn kanë deklaruar për mediat propozimet e tyre për liberalizmin e vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Sipas komisioinerit Rehn, kushtet e vendosura për Bosnjën dhe Shqipërinë janë të njëjta, ndërkohë që kritere kryesore për liberalizimin ai ka përmendur monitorimin e mirë të kufijve dhe pasaportat biometrike.
"Shtymë disa muaj vendimin për këto vende për të parë më mirë zhvillimin e reformave"- ka thënë Rehn. Komisionerët e BE-së do t'ia dërgojnë këtë propozim Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili vendimin përfundimtar do ta marrë në vjeshtë. Heqja e vizave nuk vlen për banorët e Kosovës. Kjo u bë e qartë një ditë më parë nga shefi për politikën e jashtme në Bashkimin Europian, Havier Solana, gjatë vizitës së tij në Prishtinë.
Shqipëria dhe Bosnja, u etiketuan jashtë hapësirës shengen që në raportin përkatës të nxjerrë nga BE për përfitimin të regjimit të vizave, këto dy vende rezultojnë që nuk i kanë përmbushur kriteret e duhura, ndaj për këtë pritet të diskutohet gjatë vitit të ardhshëm.
Ende jashtë diskutimit ka mbetur Turqia, për të cilën Barrot theksoi se ende nuk ka diskutime për një liberalizim të vizave me Turqinë.