E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja për emrat e Gjykatës së Lartë reflektohet dhe te të përndjekurit

Përplasja mes drejtuesve të lartë të shtetit ka zbritur dhe mes të përndjekurve politikë. Një ditë pasi drejtori i Institutit për Integrimin e të Përndjekurve, Simon Miraka, deklaroi në media se presidenti po dekoron njerëz që kanë persekutuar të përndjekurit dhe se ka një tendencë për emërimet e njerëzve të tillë dhe nëpër institucione të rëndësishme, një tjetër shoqatë e të përndjekurve ka deklaruar të kundërtën. Shoqata Mbarëkombëtare e Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, përmes sekretarit të saj, Besim Ndregjoni, tha dje se presidenti po emëron në Gjykatën e Lartë një propozim të tyrin. “I shprehim falënderimet tona në emër të të përndjekurve politikë të Shqipërisë Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, për dekretimin për anëtar të Gjykatës së Lartë të një kandidature të propozuar nga kryesia e shoqatës sonë. Ne shprehim edhe njëherë vlerësimin tonë që presidenti bashkëpunon me të përndjekurit politikë dhe vlerëson kapacitetet tona për të patur në drejtësinë shqiptare juristë me një integritet moral dhe profesional që t’i shërbejnë drejtësisë dhe zhvillimeve të demokracisë në vendin tonë. Ne i bëjmë thirrje mazhorancës së votuar nga ne, që përfaqësojmë shumicën e të djathtës së vërtetë shqiptare, që të implementojë menjëherë Rezolutën e KE “Për dënimin e krimeve të komunizmit”.

Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk i kemi dënuar këto krime dhe e kemi lënë shoqërinë në një situatë kaotike, ku shumica e institucioneve drejtohen nga njerëz të inkriminuar që kanë qenë pjesë e krimit.

Gjithashtu, ne kërkojmë që të hapen dosjet, siç i ka të hapura kryesia jonë me në krye kryetarin, Adem Allaçi dhe sekretarin e përgjithshëm, Besim Ndregjoni”, - tha Ndregjoni. Ai iu përgjigj dhe deklaratës së Mirakës se presidenti po hesht në lidhje me dekorimin e Revoltës së Spaçit, duke deklaruar madje se një dekorim i tillë do bëhet në shtator.

“Ne i kemi propozuar Presidentit të Republikës që të dekorojë me medaljen më të lartë të kombit, “Nderi i Kombit” kryengritjen e parë antikomuniste në Evropë, Kryengritjen e Postribës, si dhe Revoltën e Spaçit, si dy ngjarjet më të mëdha të disidencës antikomuniste në Shqipëri dhe Evropë. Ne kemi gjetur mirëkuptimin dhe gatishmërinë e kryetarit të shtetit për t’i dekoruar dhe në shtator do të jepen titujt”, - tha Ndregjoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›