E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abortet, pas 10 vjetësh të dhëna edhe për klinikat private

Pasi 10 vitesh edhe klinikat private kanë nisur të raportojnë numrin e aborteve që kryejnë. 

 Projekti që synon mbledhjen e të dhënave të sakta për abortin në vendin tonë po shkon drejt finalizimit. Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me mbështetjen e UNFPA-së, po përfundojnë ngritjen e sistemit të survejancës së abortit në Shqipëri, në sektorin publik dhe privat. Gjatë një konference të organizuar dje janë evidentuar hapat e ndërmarrë në këtë fazë.
Puna e deritanishme ka konsistuar në ndërmarrjen e masave për krijimin e rrugës së raportimit të aborteve dhe dokumentit raportues (skeda e abortit). “Për herë të parë pas 10 vjetësh, ISHP-ja po mbledh të dhëna për abortin edhe në klinikat private. Që prej qershorit të 2007-ës raportimi ka nisur në të gjitha maternitetet e rretheve, veç Mallakastrës, Kuçovës dhe Malësisë së Madhe”, bënë me dije specialistët. Sipas koordinatores së projektit të survejancës së aborteve, Alba Merdani, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, u raportuan mbi 500 aborte, nga 14 klinika, 10 prej të cilave në Tiranë, por studimi i të dhënave do të vazhdojë edhe në rrethe. Edhe për maternitetet e rretheve, përveç Mallakastrës, Kuçovës dhe Malësisë së Madhe, do të mblidhen të dhënat e aborteve, duke ruajtur anonimatin. “Në çdo qendër aborti, apo drejtori në rrethe do të ketë një inspektor të shëndetit riprodhues, që do të jetë personi i kontaktit”, tha koordinatorja. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, mbledhja e informacionit mbi abortet në shërbimet shëndetësore publike dhe private ka vijuar me trajnimin e personave përgjegjës për survejancën e abortit në 36 rrethet e vendit. Aktualisht ngritja e sistemit të survejancës gjendet në fazën e dytë të zbatimit të saj, ku po krijohet softwair për përpunimin e informacionit të ardhur nga rrethet e vendit. Tirana është përzgjedhur rrethi pilot dhe gjatë këtij vitit do të kryhet instalimi i softwair-it në të gjitha klinikat private të cilat janë të licencuara për abort.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›