E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka takon ambasadoren franceze

Ministri Nard Ndoka propozon lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë të vendit tonë dhe asaj të Francës. 

Kjo si një hap drejt institucionalizimit dhe formalizimit të bashkëpunimit të deritanishëm. Gjatë një takimi me ambasadoren e Francës, Maryse Daviet, u diskutua për një bashkëpunim me spitalet franceze. Ambasadorja shprehu mbështetjen e saj dhe besimin se kërkesa për bashkëpunim mes dy vendeve do të ketë një reagim pozitiv nga Ministria e Shëndetësisë në Francë. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, zhvilloi të enjten një takim pune me ambasadoren e Francës në Tiranë. Duke vlerësuar përvojën e bashkëpunimit midis dy vendeve, zj. Daviet theksoi se, bashkëpunimi i afërt konsiston në eksperiencën shumë të mirë në fushën e specializimeve për mjekët shqiptarë. Këtu do të përfshihet edhe bashkëpunimin midis spitaleve rajonale të Korçës, Elbasanit dhe të Bajram Currit, me spitalet në Francë. Ndërkohë që një ndihmë konkrete po i ofrohet edhe qendrës së transfuzionit të gjakut me asistencë teknike nëpërmjet mjekëve francezë. Gjithashtu, një kontribut të veçantë, Asistenca Publike e Parisit ka dhënë për realizimin e masterplanit për qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërtimi i spitalit të specialiteteve të ORL-së etj. Në fund të vitit 2007, në kuadër të binjakëzimit të spitalit rajonal të Korçës me spitalin Belford- Monpelie janë përuruar dhe funksionojnë kabinetet e celioskopisë në spitalin e Korçës dhe Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›