E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasojat nga defaktorizimi i së majtësNga Mero BazeObjektivi kryesor i Sali Berishës në këto ditë torturuese për të, më shumë sesa formimi i shumicës, është defaktorizimi i faktorëve të së majtës. Një sërë skenarësh banalë, që fabrikohen përditë në zy

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Pasojat nga defaktorizimi i së majtësNga Mero Baze

Objektivi kryesor i Sali Berishës në këto ditë torturuese për të, më shumë sesa formimi i shumicës, është defaktorizimi i faktorëve të së majtës. Një sërë skenarësh banalë, që fabrikohen përditë në zyrën e tij, qarkullojnë nëpër tavolinat e thashethemeve në Tiranë, me objektiv kryesor ndezjen e konfliktit brenda së majtës dhe defaktorizimin e Ilir Metës.

Kështu, teza e parë është hedhur në qarkullim dy ditë më parë nga gramafonat e Berishës në TV Klan, të cilët duan ta fillojnë bilancin e këtij procesi zgjedhor me dënimin e Edi Ramës. Me një arrogancë qesharake, nga ekrani i Berishës kërkohet koka e kryetarit të Partisë Socialiste dhe jo emri i kryeministrit të ri që duhet të dalë nga zgjedhjet. Kjo “ngatërresë protokolli” vjen nga fakti se kryetari i Partisë Socialiste është aktualisht pengesa e vetme për një mandat të ri për Sali Berishën. Me 66 mandate të marra dhe 5 të tjera të shpërdoruara nga mungesa e racionalitetit në administrimin e sistemit zgjedhor, Partia Socialiste është realisht një parti e ndëshkuar nga procesi, por jo nga qytetarët shqiptarë. Si e tillë, ajo është një e humbur nga fitorja popullore që ka arritur, dhe një pengesë serioze për antiopozitarizmin që po prodhohet sërish si aksion politik, tashmë prej Sali Berishës.

Çdo ditë Sali Berisha përmes gramafonit të vet përhap skenarë qeverish me Ilir Metën kryetar parlamenti, Fatos Nanon president, me 3-4 ministra të majtë të mërzitur me Partinë Socialiste, e gjithfarë projektesh të tilla banale. Qëllimi i vetëm është që të defaktorizojë opozitën e majtë të Edi Ramës, LSI dhe aleatët e saj, të cilët kanë arsyet e tyre reale të jenë të mërzitur me Edi Ramën, por që nuk janë të njëjta me arsyet e Berishës. Duke defaktorizuar këtë pjesë të opozitës, Berisha synon të ndezë luftën brenda Partisë Socialiste, me qëllim që rekrutimin e kësaj pjese të opozitës ta shoqërojë me ardhje të reja vullnetare nga PS, të cilat më pas të asgjësojnë rëndësinë e Ilir Metës. Skema e tij është pak a shumë ajo që bëri me Nard Ndokën dhe demokristianët, të cilët i thirri në qeveri në një moment delikat të shumicës së tij dhe pastaj prodhoi një grup “deputetësh euroatlantikas” me Paulin Sterkajn në krye dhe nxori jashtë loje Nard Ndokën.

Kjo skemë tanimë është banale dhe e diskredituar. Sali Berishës i duhet kartëvizita e Ilir Metës për të bërë një qeveri të pranuar dhe pastaj përmes luftës dhe ndërhyrjes shtetërore në Partinë Socialiste, atij i duhet një grup i ri deputetësh të majtë për të eliminuar Ilir Metën. Ky skenar është tanimë i lexueshëm, jo vetëm pse recitohet nga papagajtë e tij në TV Klan, por edhe se ka filluar të vihet në veprim.

Në këto kushte, ruajtja e integritetit të opozitës është pasuria më e çmuar politike për shoqërinë shqiptare. Ilir Meta ka të drejtën e tij morale dhe politike të përdorë katër mandatet e tij kundër Edi Ramës, por jo pro Sali Berishës. Nëse Ilir Meta rimandaton Sali Berishën kryeministër, atëherë kredoja morale e Edi Ramës ngrihet shumë lart, dhe ai del nga këto zgjedhje më i fortë se kurrë, pasi del lideri më i votuar nga shqiptarët dhe më parashikuesi se vota për Ilir Metën është votë për Sali Berishën. Ai, jo vetëm që nuk duhet të bëjë pas kësaj ndonjë gjest dorëheqjeje nga kreu i Partisë Socialiste, por duhet të mbështetet për të qenë garant i një opozite të fortë në Shqipëri. Rreziku real për të ardhmen politike brenda së majtës për Edi Ramën vjen nga një Ilir Metë, që rrëzon nga kreu i qeverisë Sali Berishën dhe formon një qeveri me të djathtën, ku vetë ka rol dominues. Atëherë Ilir Meta kthehet në shpresë për të majtën dhe shkon drejt saj me një trofe në duar, me karrigen e thyer të Sali Berishës. Çdo skenar tjetër, sado miliona euro të ketë në mes, nuk është një skenar që dëmton Edi Ramën. Kundërshtarët e tij po bëjnë atë gabim që bënë dikur kundërshtarët e Sali Berishës, po bëjnë të njëjtin gabim që bëri Genc Ruli dhe Tritan Shehu me lëvizjen e tyre anti-Berishë në vitin 1997 dhe Genc Pollo që mobilizoi gjithë shtetin, që nga ai i Ilir Metës deri tek ai i Fatos Nanos kundër Sali Berishës që nga viti 1999 deri më 2005. Asgjë nuk bënë, veçse forcuan Sali Berishën dhe e bënë atë lider moral të opozitës, edhe pse kishte qindra mëkate në shpinë. Nëse të njëjtin skenar përsërisin dhe me Edi Ramën, kanë për t’ia fshirë atij shumë shpejt dhe mëkatin e arrogancës për të ndarë me veten fitoren kundër të gjithëve më 28 qershor dhe kanë për ta bërë shpresën e vetme për të majtën shqiptare deri në zgjedhjet e radhës, që nuk dihet se kush do t’i shkaktojë më shpejt, dëshira për të rrëzuar Edi Ramën apo dëshira për t’i shërbyer Sali Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›