E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, shqyrtohen ankimimet e PD-së dhe PS-së

Ka nisur mbledhja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ku do të shqyrtohen kërkesat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës. Në fillim të mbledhjes përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kanë kërkuar pezullimin e shqyrtimit të tabelës për rezultatin e Tiranës pasi sipas tyre çështja është në Kolegjin Zgjedhor.

“Thelbi i ankimit është i njëjtë. Gjykimi im është që kërkesa për pezullim deri në shprehjen e Kolegjit Zgjedhor për këtë cështje është e drejtë dhe këtë e parashikon dhe Kodi Zgjedhor”, tha Dëshira Subashi.

Sipas saj, nuk ka vlerë që një ankimim të shqyrtohet nga dy institucione njëkohësisht. “Ankimet për rezultatin përfundimtar, tabela përmbledhëse që përmbysi rezultatin e Tiranës pritet të shqyrtohet këtu, ndërkohë që kjo cështje tashmë po shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor”- theksoi Subashi.

Ndërsa përfaqësuesit e djathtë kanë qënë kundër pezullimit të ankimimit duke shtuar se  KQZ-ja duhet të vijojë me rendin e ditës, pasi ankimimet janë bërë me vullnet të lirë të vetë subjekteve të interesuara.

Por pas shumë debatesh, komisioni ka rrëzuar këtë kërkesë dhe ka vijuar mbledhjen me shqyrtimin e ankesave të bëra e të planifikuara në rendin e ditës të kësaj mbledhjeje.

Kërkesa e parë e PS-së ka për objekt kundështimin e vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, lidhur me miratimin e tabelës së KZAZ-së Nr. 49, që i përket Njësisë Bashkiake Nr. 5, ku kërkohet pavlefshmëria e vendimeve të marra nga KQZ, për ndryshimin e tabelave të rezultateve të QV-ve të ZAZ-së Nr. 49.

Ndërkohë që kërkesa e dytë kundërshton vendimin e KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë"`, me arsyetimin se vendimi është marrë në shkelje flagrante të ligjit dhe në tejkalim të kompetencave të KQZ-së.
PD në kërkesën ankimore, kundërshton vendimin e KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë"`, me arsytetimin se, në rezultat duhej të përfshiheshin të gjitha votat e kontestuara në procesin e numërimit dhe vlerësimit fillestar të votave të hedhura për kandidat për kryetar të bashkisë Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›