E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ shqyrton nesër kërkesën për referendumin kundër plehrave

Sipas relacionit të Drejtorisë Juridike të KQZ-së, i publikuar në faqen zyrtare të institucionit zgjedhor, pas verifikimit të nënshkrimeve të kërkesës për referendum nga ana e Institutit të Policisë Shkencore,  rezulton  se  "rreth 70% e këtyre nënshkrimeve janë të falsifikuara, të bëra nga e njëjta dorë".

Ky përfundim erdhi pas verifikimit të dokumentacionit të kërkesës për referendum të bërë nga Aleanca kundër Importit të Plehrave. Nga verifikimi konkludohet se grupi nismëtar ka depozituar gjithsej 3798 Flet-Tip, në të cilat janë 65.649 shtetas që kanë nënshkruar. Në vijim të verifikimit të nënshkrimeve, me sy të lirë u krijua dyshimi se shumë emra të zgjedhësve dhe nënshkrimet përkatëse të tyre ishin të plotësuara nga e njëjta dorë. Në këto kushte KQZ dërgoi një pjesë të modeleve-tip pranë Institutit të Policisë Shkencore, për të bërë verifikim të specializuar të emrave dhe nënshkrimeve të zgjedhësve.

Nga përgjigja e këtij Instituti, që mban datën 22 qershor 2012, rezulton se rreth 70% e nënshkrimeve janë të falsifikuara, të bëra nga e njëjta dorë. Në nëntor 2011 Aleanca kundër Importit të Plehrave depozitoi në KQZ kërkesën për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e një pjese të ligjit "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve", i miratuar në Kuvend në shtator 2011.

Sipas grupit nismëtar, dy nene të këtij ligji (22 dhe 49) lejojnë importimin e mbetjeve urbane nga vende të tjera në shërbim të industrive ricikluese, duke rrezikuar jetën e shoqërisë dhe mjedisin shqiptar. /Start/

                                                                                             2012-06-26 15:11
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›