E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shtyn mbledhjen, tabela përfundimtare për rezultatin e Tiranës miratohet nesër

24-06-2011 / Gazeta 55

Juristët: Procesi ishte transparent, Basha fitoi me 95 vota më shumë


UPDATE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet nesër për miratimin e projekt aktit, për hartimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e bashkisë së Tiranës. Procesi i numërimit të fletëve të kontestuara u mbyll një ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku kandidati i djathtë Lulzim Basha rezultoi 95 vota më tepër se rivali i tij socialist Edi Rama.


Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli deklaroi dje se shifrat e dala nga numërimi i fletëve të kontestuara të 11 minibashkive të kryeqytetit do të përpunohen dhe më pas do tu shtohen tabelës përmbledhëse të rezultateve.


Ndërsa përfaqësuesit ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj e cilësoi procesin e numërimi të fletëve të kontestuara qesharak, të deformuar dhe me parregullsi. Ndërkohë pritet që përfaqësuesit e Partisë Socialiste të depozitojnë në Kolegjin Zgjedhor edhe ankimimin për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 8 majit.


Ish kreu i KQZ, Çlirim Gjata: Procesi në KQZ, transparent- Lulzim Basha fitoi me 95 vota më shumë


Juristi dhe njëherazi ish kreyetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, komenton procesin e numërimit të votave. Sipas tij me këtë proces u arrit zbatimi i standardeve dhe transparencës, u numëruan të gjitha votat e qytetarëve. Gjata tha se Kolegji Zgjedhor vendos në parim të asaj që kërkohet. Kolegji Zgjedhor e vlerësoi të ligjshëm rezultatin e parë të KQZ-së. Sipas tij në çdo proces zgjedhor nuk ka rakordim të plotë të shifrave. Madje sipas tij edhe 100 herë të bëhen zgjedhjet do të ketë rakordim të shifrave në masën 100% dhe kjo sipas tij është e pranueshme në një proces.


Ndaj Gjata thotë se PS-ja nuk mund të pretendojë për mos rakordim shifrash. Gjata ka sqaruar se lidhur me pavlefshmërinë e zgjedhjeve opozita e ka humbur këtë të drejtë. Pasi një veprim të tillë mund të bënte brenda 3 ditëve nga dita kur KQZ-ja shpalli fitues kandidatin Basha. Sipas Gjatës, ata s’mund t’i kthehen pavlefshmërisë, pasi ata kërkuan mos rakordim shifrash me ankimin e tyre ne Kolegjin Zgjedhor.


Lidhur me sigurinë dhe përdorimin e kodeve, Gjata sqaron se pesë kodet e kutisë shënohen në procesverbal. Gjata thotë se po bëhet zhurmë me kodin e pestë, por ai sqaron se kodi i pestë vendoset në kapakun e kutisë së votimit dhe se në kutitë e votimit nuk mund të bëhen manipulime. Gjithashtu, Gjata ka nënvizuar se kutitë e votimit ruhen në kushte sigurie shumë të larta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›