KQZ, spot për kartat e identitetit
KQZ do të realizojë një spot publicitar më vete për të sensibilizuar qytetarët për të aplikuar me kartat e identitetit. Afro 50 ditë përpara ditës së votimit, KQZ-ja duhet të lançojë në median vizive spotin që duhet të ndikojë aplikimet për kartat e identitetit. Një gjë e tillë u vendos pas insistimit të përfaqësuesit të PS-së, Genc Gjonçaj, në lidhje me thirrjet që duhet të bëjë KQZ-ja për aplikimin me letërnjoftimet. “Detyrimi ligjor, neni 197 i Kodit, kjo është detyra primare si institucion i juaji. KQZ-ja duhet ta vendosë si prioritet një gjë të tillë”, theksoi Gjonçaj. Pas diskutimesh, KQZ-ja ra dakord që të realizohen fushata sensibilizuese edhe për kartat e identitetit, qoftë në median vizive dhe të shkruar. Ndërsa u votua në parim fushata sensibilizuese që KQZ-ja do të organizojë për të rritur pjesëmarrjen e votuesve, si dhe të njohë zgjedhësit me procesin dhe mënyrën e votimit. Në këtë parashikohen spote dhe njoftime në media. Përfaqësuesi i PD-së, Kosovrasti, kërkoi që nga njoftimet të mos shmangen organet e medias së partive politike. Ndërsa një nga thirrjet e KQZ-së pritet të jetë “Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë Voto!09! Ti vendos!”.