E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Hetim parlamentar Ramës

 

BLEDAR HOTI

Partia Demokratike një muaj para mbylljes së punimeve të Kuvendit, kërkon të krijojë komision të posaçëm hetimor ndaj kryebashkiakut Edi Rama. Zëdhënësi i grupit të PD-së, Aldo Bumçi, bëri të ditur dje se shumë shpejt do t’i dorëzohet Parlamentit kërkesa për ngritjen e komisionit të posaçëm të hetimit. Sipas demokratëve, kryebashkiaku Rama do të hetohet për dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë gjatë kohëve të fundit. “Ky është modeli i qeverisjes së Edi Ramës, një monopol që i shërben një grushti njerëzve, që merr vendime në konflikt të hapur interesi. E gjithë kjo do të jetë një objekt i hetimit parlamentar”, deklaroi Bumçi. “Shumica e projekteve arkitekturore kalojnë vetëm tek Atelier 4. Kjo kompani është në pronësi të anëtarit aktual të këshillit të territorit, çka përbën një konflikt të hapur interesi. Ky është modeli i qeverisjes së Edi Ramës, i cili ka kthyer në monopol çdo gjë. E gjithë kjo do të jetë objekt i një hetimi parlamentar”, deklaroi Bumçi. Ai shtoi se, “Atelier 4” paraqitet me 14 leje. Ne mbledhjen e KRRT-së në mars të vitit 2009, projektet për “Atelier 4” miratoheshin nga KRRT. Tri nga pesë leje ndërtimi i janë dhënë të njëjtës kompani, kompania e cila ka marrë lejen e ndërtimit zotërohet nga ish-drejtori urbanistik i Bashkisë dhe anëtarë aktual i KRRT-së. Zëdhënësi i grupit të PD-së, Bumçi theksoi se, “është gjithë koha e nevojshme për të realizuar një hetim të tillë parlamentar, për shkak se këto materiale, siç po e bëj publike, nuk kërkojnë një kohë të madhe investigimi, janë publike”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të Bashkisë, Eduart Shalsi, i cili shtoi se po përbaltet procesi i lejeve të ndërtimit. “Sali Berisha po baltos e pengon njerëzit e thjeshtë dhe të ndershëm, pronarët dhe sipërmarrësit, familjarët që duan shtëpi. Papagallët e Saliut thonin se pse s’japim leje, sot thonë se pse japim leje, ndërsa ne u themi që jeni e shkuara dhe se politika juaj e vjetër është në grahmat e fundit”, deklaroi nënkryetari Shalsi. Ideja për ngritjen e një komisioni hetimor u hodh gjatë një diskutimi në Kuvend të deputetit të PD-së, Edi Paloka. Ai u shpreh se do të ndërmerrte vetë këtë iniciativë për ta paraqitur në grupin parlamentar të PD-së, me qëllim mbledhjen e firmave. Nëse realizohet, ky do të ishte komisioni i dytë hetimor i kërkuar nga PD-ja ndaj kryebashkiakut Edi Rama. Komisioni i parë u ngrit në vitin 2003, kur PD-ja ishte në opozitë, përpara zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›