E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ vendos: Nuk do të ketë kamera në qendrat e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
i Kosovës, për herë të dytë ka
hedhur poshtë kërkesën e disa
partive opozitare për vendosjen
e kamerave në qendrat e votimit, në
zgjedhjet e paralajmëruara për 15 nëntor.
Arsye, sipas KQZ-së, është kostoja e lartë e
kamerave dhe koha e shkurtër e përgatitjeve.
Kryetarja e Komisionit Qendror, Nesrin
Lushta, lidhur me këtë vendim, shpjegon
se kërkesa për vendosjen e kamerave në 3
mijë vendvotime është refuzuar. "Kërkesa
e AKR-së për rivendosjen e vendimit, të
cilin KQZ-ja paraprakisht e ka marrë, është
refuzuar. Kërkesa e dytë ishte kërkesa e
LDD-së lidhur me vendosjen e kamerave
në vendvotime në 6 komuna dhe në
qendrën e numërimit të rezultateve dhe
u mor vendim që të mos aprovohet", tha
Lushta. Sipas saj, disa nga arsyet e refuzimit
të kësaj kërkese janë kostoja e lartë e
blerjes së kamerave dhe koha e shkurtër
e përgatitjeve deri në mbajtjen e këtyre
zgjedhjeve. "Është kohë e shkurtër, është
kostoja. KQZ-ja jo vetëm që vendos për
vendosjen e kamerave ose jo, por duhet
edhe vetë të implementojë. Domethënë,
nëse e aprovon një kërkesë të tillë, duhet
vetë ta implementojë", u shpreh Lushta.
Partitë politike në opozitë kanë reaguar
ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si
shkelje të vullnetit të qytetarëve, duke
marrë parasysh faktin që, siç thonë ata,
50 për qind e elektoratit u takon partive
politike në opozitë. Fadil Maloku, përfaqësues
i Aleancës Kosova e Re në KQZ,
thotë se vendimi është marrë në disfavor
të transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë
së këtij institucioni shumë të
rëndësishëm, që në zgjedhjet lokale të japë
testin e parë se si të menaxhohet procesi
i zgjedhjeve. "Mbi 50% ishin pro, LDK-ja,
AKR-ja, AAK-ja, LDD-ja. Nëse shkojmë në
këtë kalkulim, del diku se 50% e vullnetit
të qytetarëve të Kosovës është shkelur sot
me këtë votim që nuk u bë për futjen e
video-kamerave", tha Maloku. Ndërkaq,
rreth vendosjes së kamerave në qendrat
e numërimit, kryetarja e KQZ-së, zonja
Lushta, tha se kjo çështje do të diskutohet
edhe një herë në një nga takimet e radhës
së KQZ-së. "Për pjesën e kërkesës së LDDsë,
që ka të bëjë me vendosjen e kamerave
në qendrën e rezultateve, nuk u mor
vendim i prerë. Kështu që mendoj se në
takimet e ardhshme do t‘i kthehemi edhe
një herë çështjes së vendosjes së kamerave
vetëm në qendrën e numërimit të rezultateve",
theksoi Lushta. Por, përfaqësues
të opozitës shprehin bindjen se në këtë
mënyrë po shkohet drejt keqkuptimeve
dhe keqpërdorimeve. Zoti Maloku thotë:
"Paramendoni situatën nesër, nëse dikush
prej nesh del e thotë që ky është rezultati
i zgjedhjeve lokale, e dikush e konteston
me mish e me shpirt atë". Sido që të
jetë, opozita kishte kërkuar përdorimin
e kamerave si një mjet për t‘i mënjanuar
keqpërdorimet dhe shkeljet gjatë procesit
të zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›