E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ vendos hapjen e 26 kutive të ankimuara nga PD

01/06/2011  Në mbledhjen sotme priten të shqyrtohen edhe dy ankimimet e Partisë Socialiste

PD: Të hapen edhe 117 kutitë e tjera, dhe të bëhet rivlerësimi i të gjitha fletëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi mesditën e djeshme që të hapë 26 kutitë e votimit të katër KZAZ-ve të Tiranës, pjesë e kërkesës ankimore të bërë nga Partia Demokratike. “Thelbi i kërkesës sonë është rinumërim dhe rivlerësimi i të gjitha fletëve të votimit të kontestuara në kutitë për kandidat për kryetar bashkie të Bashkisë së Tiranës kudo që ato ndodhen. Pra, neve kërkojmë të rivlerësohen të gjitha votat e kontestuara jo vetëm në këto 26 kuti, por edhe në 117 e tjera që janë përfshirë në aneksimet e kërkesës tonë ankimore, të cilat janë fletë të panumëruara më parë, dhe që meritojnë të vlerësohen nga KQZ-ja”, u shpreh përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso. Pas debateve në lidhje me këtë kërkesë të PD-së, KQZ-ja miratoi dje me 4 vota pro dhe 2 kundër kërkesën për rinumërimin e 403 fletëve të kontestuara në 26 kutitë, ku dyshohet se ka të hedhura gabimisht nga qytetarët më 8 maj, fletë votimi këto të cilat do konsiderohen të vlefshme. “Do të kemi mundësi ti këqyrim këto vota, të hapim kutitë ku gjendet zarfi me votat e kontestuara dhe të bëjnë një vlerësim përfundimtar për to”, u shpreh në lidhje me vendimin kreu i KQZ-së, Arben Ristani.

Hapja e kutive (Rama +7 vota, Basha +4 vota)

Në seancën e paradites, KQZ-ja hapi 12 nga 26 kutitë e ankimuara nga PD, në lidhje me tabelën përmbledhëse për kryetar të Bashkisë së Tiranë. Nga hapja e këtyre, pasi u bë dhe këqyrja e fletëve të kontestuara nga KQZ-ja, rezultuan 7 vota për kandidatin e Partisë Socialiste Edi Rama, dhe 4 vota për kandidatin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Nga numërimi i djeshëm, përfundoi numërimi i fletëve të kontestuara nga KZAZ 47 (QV-ja 1773) dhe nga KZAZ-ja 49 (QV 1835, QV 1842, QV 1844, QV 1845, QV 1846, QV 1850/2), si dhe katër QV-ve (QV 1926/1, QV 1930, QV 1931 dhe QV 1933) të KZAZ-së 52. Ndërsa numërimi i fletëve të votimit për 14 qendrat e votimit të tjera pritet të vijojë në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Pas përfundimit të shqyrtimit të kërkesës ankimore të PD-së, KQZ pritet të marrë në shqyrtim dhe dy kërkesat ankimore të PS-së, të cilat bazohen mbi të njëjtën problematikë: kundërshtimin e tabelës përmbledhëse dhe kundërshtimin e rezultatit për Bashkinë e Tiranës.

Debati për hapjen e 26 kutive

PS hedh dyshime mbi integritetin e kutive të votimit nga ana e KQZ-së

Vendimi i katër anëtarëve të KQZ-së për të hapur dhe rinumëruar fletët e votimit në 26 kutitë e kontestuara nga PD-ja ka sjellë dhe reagimin e menjëhershëm të Partisë Socialiste në këtë komision. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e opozitës kërkuan shpjegime se si ruhen dhe kush i administron këto kuti votimi. “Kush i administron këto kuti që do hapni? Ku janë ato? Cila është gjendja e tyre? Dhe nëse janë këtu, ju jeni në shkelje të ligjit mbi administrimin e kutive të materialeve zgjedhore”, u shpreh përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Saliani. Duke iu përgjigjur interesimit të Salianit, nga ana e tij kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i shpjegoi se kutitë janë dorëzuar nga KZAZ-të në KQZ dhe dorëzimi është bërë me procesverbale të rregullta. “Kutitë janë në KQZ nën administrimin e këtij institucioni, ndërsa transportimi i tyre është bërë nga punonjësit e Komisionit. Për çdo pretendim që ju (opozita) mund të keni, përgjegjësia është e KQZ-së. Dhe mos na trego përralla tani, por referoju ligjit kur flet këtu”, iu drejtua Ristani përfaqësuesit të opozitës, Salianit.

Integriteti i kutive të votimit

KQZ: Marrja e kutive është tërësisht transparente dhe respekton integritetin

Pas dyshimeve të ngritura nga përfaqësuesit e opozitës mbi integritetin e kutive të votimit, ka reaguar zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli. Në një deklaratë për shtyp, Olli sqaroi opinionin publik se dorëzimi dhe marrja, e më pas hapja e kutive të votimit, do të jetë një procedurë tërësisht transparente dhe në integritet të plotë. “KQZ gjen me vend të sqarojë se marrja e kutive e materialeve zgjedhore është tërësisht transparente dhe respekton integritetin”, u shpreh Olli. “Integriteti i padiskutueshëm dhe lehtësisht i verifikueshëm nga kushdo i këtyre kutive qëndron edhe në faktin se në çdo tabelë rezultati të përpiluar nga çdo grup numërimi, për secilën qendër votimi, në kolonën përkatëse të saj shënohen numrat e vulave të kodeve të sigurisë, me të cilët është mbyllur çdo kuti, ku gjenden fletët e votimit. Çdo subjekt politik zgjedhor apo palë e interesuar disponon kopje të kësaj tabele. Për rrjedhojë, kushdo mund të verifikojë në çdo moment të hetimit administrativ përputhjen e numrave të kodeve të sigurisë me të cilat janë mbyllur këto kuti apo të gjitha të dhënat e tjera të sipërpërmendura”, deklaroi dje Olli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›