E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ vendos sot për rezultatet e qarkut Fier

Shqyrtimi pritet të shkaktojë debate pasi përfaqësues të PS kanë kërkuar numërimin e 9 kutive të votimit të katër KZAZ-ve të këtij Qarku si per Fushe Kuqen. Por, kryetari i KQZ-së u shpreh se mes dy rasteve ka ndryshim 

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë sot në orën 11:00 projektvendimin "Për nxjerrjen e rezultateve të zonës zgjedhore, Qarku i Fierit".
Shqyrtimi i këtij p/vendimi pritet të shkaktojë debate pasi përfaqësues të Partisë Socialiste kanë kërkuar numërimin e nëntë kutive të votimit të katër KZAZ-ve të këtij Qarku, respektivisht të KZAZ-së me nr. 18, 19, 20 dhe 22.
Një ditë më parë në mbledhjen e komisionit, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kërkoi numërimin në KQZ të kutive të votimit të Qarkut Fier, sikurse u veprua me gjashtë kutitë e Fushë Kuqes së Qarkut Lezhë.
Por, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, u shpreh se mes dy rasteve ka ndryshim pasi KZAZ-të e qarkut të Fierit kanë miratuar me vendim tabelën e rezultateve dhe nisur nga kjo e vetmja procedurë për hapjen e kutive të votimit, të kërkuar nga PS, është zbatimi i nenit 123 të Kodit Zgjedhor, që do të thotë hartim i tabelës së qarkut dhe ankimim i vendimeve të KZAZ-ve.
Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në votimet e 28 qershorit në qarkun Fier koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 7 mandate, koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 8 mandate, ndërsa LSI 1 mandat.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›