E Diel, 1 Nëntor 2026

KRIIK dhe UET çelin aktivitetin rajonal mbi tranzicionin dhe demokracinë

KRIIK Albania në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, Koalicioni për Lidershipin dhe 9 organizata partnere në vendet e Europës Juglindore çelën dje në ambientet e UET-it aktivitetin rajonal: “Funksionimi i demokracisë në situata post-tranzicionale: Sfida dhe perspektiva për Ballkanin Perëndimor”. Një aktivitet me një sërë seminaresh mbi tema të tranzicionit dhe të ardhmes, me lektorë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të Europës, i cili në të njëjtën kohë shënon edhe 10-vjetorin e fillimit të këtij programi. Premto Gogo, drejtor i KRIIK Albania, tha se pikërisht për të kujtuar një dekadë të atij që deri tani ka qenë universiteti veror i organizuar në Vlorë, është organizuar një aktivitet rajonal me një pjesëmarrje më të gjerë dhe me një format ndryshe nga ai i viteve të mëparshme. Temat kryesore të aktivitetit dhe programi që u prezantuan dje në ambientet e UET-it, kanë të bëjnë me periudhën e tranzicionit në Shqipëri dhe në disa vende të rajonit, arsyet që ende në këto vende nuk po arrihet të ndërtohet një shtet demokratik e funksional. Për më shumë aktiviteti synon të japë ide për disa rrugëdalje nga situata dhe për atë që mund të bëjë më shumë shoqëria civile. Organizatorët thanë se programi është i ndërtuar mbi referime nga lektorë të njohur shqiptarë e të huaj. Diskutimet dhe rezultatet e workshop-eve që do të realizohen gjatë aktivitetit do të përpunohen, duke u finalizuar në një dokument rekomandimesh dhe praktikash më të mira për adresimin sa më efikas të problematikave që do të trajtohen. Në ceremoninë e hapjes u prezantua programi i ndarë në disa module, temat që do referohen dhe lektorët që marrin pjesë në këtë aktivitet që do zhvillohet në ambientet e UET-it nga 24 deri më 28 tetor. Aktiviteti realizohet në bashkëpunim dhe me mbështetjen e KRIIK Albania, Koalicionin për Lidership-in, Universitetin Europian të Tiranës; në partneritet me 9 organizata nga vendet pjesëmarrëse në seminar dhe me mbështetjen e Programit “Lindje-Lindje Partneritet Përtej Kufijve” të Fondacionit ‘Soros’, Grantet e Vogla të Komisionit për Demokraci - Ambasada e SHBA në Tiranë, Ambasada Mbretërore e Norvegjisë në Prishtinë, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Tiranë dhe Ambasada e Francës në Tiranë. Aktiviteti ka mbledhur së bashku të rinj të angazhuar në sferën publike nga 10 vende: Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Poloni, Rumani, Serbi dhe Turqi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›