Mano: Kriza greke, emigrantët e kthyer investojnë në turizmin e Korçës
Ardhja e emigrantëve nxitur nga kriza e papunësisë në vendin fqinj Greqi, ka bërë që emigrantët korçarë të investojnë në vendin e tyre në fushën e turizmit. Ky shihet si aspekti pozitiv i krizës greke nga prefekti i Korçës, Andrea Mano, përveç aspektit negativ të rënies së remitancave. “Unë e shoh ndikimin e krizës greke në rajonin e Korçës në të dyja anët e medaljes, në atë negative dhe pozitive. Efekti negativ është se janë ulur dërgesat e emigrantëve dhe familjet që ushqehen me këto të ardhura, i kanë humbur tanimë. Por aspekti pozitiv është se nga Greqia këto kohë po kthehen shumë familje shqiptare, të cilat po investojnë në biznese të vogla që kanë lidhje me turizmin. Si rrjedhojë, industria e turizmit në rajonin juglindor të Korçës është rritur me 30% krahasuar me një vit më parë”, - është shprehur Mano. Emigrantët e ardhur, sipas prefektit Mano kanë investuar në Pogradec, Prespë, Voskopojë, Dardhë dhe priten investime në Vithkuq. Sipas Manos janë emigrantët që po kthehen, të cilët pavarësisht se po investojnë në biznese të vogla, po rrisin sektorin e turizmit, fushë e cila është edhe një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë. Sipas tij pritet një fushatë më e mirë për trashëgiminë kulturore që të nxiten më shumë turistët e huaj. Ndërkaq, zona e Voskopojës ka pritur këtë vit qindra turistë vendas dhe të huaj.