E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat Profesionalë, kusht për sukses në tregun e punës

Pedagogët Petraq Papajorgji, Nevila Xhindi, Belina Budini, Kreshnik Bello nga Universiteti Europian i Tiranës, shpjegojnë arsyet përse Masteri profesional është shndërruar në kusht të domosdoshëm në tregun shqiptar të punës

T’i qasesh më mirë tregut, të jesh në vijën e parë, të përputhësh arsimimin me përditshmërinë profesionale, të jesh kompetent në fushë, të sigurosh një vend të lakmuar pune, apo të ruash atë që ke...këto janë disa arsye të vlefshme për të kryer një Master Profesional. Pavarësisht fushës së studimeve të larta tre- apo katërvjeçare, Masteri Profesional të lejon të zgjedhësh profilet më të kërkuara sot. Filozofia e re e mësimdhënies ndërdisiplinore sjell kombinimin e gjërave që mund të duken të pakombinueshme dhe riorienton tregun e punës. Katër pedagogë të fushave të ndryshme në Universitetin Europian të Tiranës sjellin një panoramë të Masterave Profesionalë dhe zbulojnë pse Masterat e spikatur në Administrim Biznesi, Teknologjitë e Informacionit, apo të Marrëdhëniet Publike kanë aq shumë sukses, duke garantuar punësim të menjëhershëm.

1.

“UET, mastera profesionalë të orientuar drejt tregut”

Dr.Nevila Xhindi, pedagoge dhe drejtore e Zyrës për Kërkim dhe Zhvillim në UET

Jeni marrë me procesin e rekrutimit të studentëve të rinj dhe e njihni mjaft mirë çështjen e masterave. Pse sot, shumica e studentëve që diplomohen në Bachelor, duhet t’i kthejnë sytë nga Masteri Profesional? Është e detyruar?

Në jetë nuk ka detyrime, por përshtatje. T’i qasesh më mirë tregut, jetës, të jesh në vijën e parë.

Ku ndryshojnë masterat e Nivelit të Parë me sistemin e mëparshëm të diplomave me Masterin Profesional sot?

Masteri Profesional i është përshtatur në terminologji, por edhe në konceptim, asaj që quhet hapësira evropiane e arsimit të lartë, në përputhje me procesin e Bolonjës. Si i tillë, ka ndryshuar vetëm terminologjinë: nga Master i Nivelit të Parë që quhej dikur, në Master Profesional 60 dhe 90 kredite. Ky Master ndryshon në konceptim, në aplikim dhe në atë që do të bësh në jetë, nga Masteri i Shkencave, i cili është 120 kredite, 2 vite të plota akademike dhe ka bërthamë akademike kërkimi, metodologjie brenda dhe tenton jetën akademike të individit. Masteri Profesional tenton karrierën profesionale. I përshtatet çdo moshe, çdo niveli, sigurisht pas studimeve Bachelor. Mund t’i kthehesh kurdo dhe kjo është një përshtatshmëri me atë që bën dhe atë që të ofron tregu i punës.

E thënë ndryshe, nëse dikush do donte të ndiqte studime Master, do ta kishte më të thjeshtë të zgjidhte një Master Profesional sesa atë të Shkencave? Do e kishte më të sigurt një vend pune, apo jo?

Absolutisht po! Masteri i Shkencave targeton shkencë. Aftësitë profesionale që merr në një Master Profesional, jo domosdoshmërisht i merr në një Master të Shkencave. Masteri Profesional të përputh me atë që bën përditë. Nëse një jurist punon në bankë dhe në shkollimin Bachelor ka marrë njohuri vetëm në Drejtësi dhe jo domosdoshmërisht ka bërë mjaftueshëm Ekonomi apo Të Drejtë bankare që përputhen me vendin e punës, do të ishte ideale, një master profesional në Financë, Menaxhim apo Të Drejtë Tregtare. Kështu mund t’i qasesh më mirë tregut.

2.

“Programe moderne në degën e Informatikës”

Flet Prof.Dr. Petraq Papajorgji, ekspert në fushën e informatikës

Me këtë zhvillim kaq të shpejtë të Informatikës, si mund t’u vijë në ndihmë një Master Profesional njerëzve që duan të merren me IT, të punësohen në këtë sektor apo edhe të ruajnë vendin e punës?

Është e vërtetë që zhvillimi i teknologjisë është shumë i shpejtë. Një nga mënyrat për të qenë i përditësuar dhe kompetent në fushë, për të siguruar një vend pune apo për të ruajtur atë që ke, një Master Profesional do të ishte një zgjidhje shumë e mirë. Në Universitetin Europian të Tiranës veçanërisht, Masteri Profesional në fushën e Informatikës ka një program shumë praktik. Jemi kujdesur t’u japim studentëve atë çka kërkon tregu i punës. Një avantazh që ka departamenti ynë i informatikës është se ¾ e pedagogëve që japin mësim kanë jetuar dhe punuar në universitetet amerikane nga 10 deri në 20 vjet. Kemi pasur mundësi të zgjedhim jo vetëm programin në mënyrë mjaft moderne, por e kemi përshtatur edhe me kërkesat që ka tregu shqiptar. Ndaj them se nuk është e rastit që studentët e parë të Masterit Profesional, që u diplomuan vjet në UET, gjetën menjëherë punë.

3.

“Në UET, masterat elitarë të Administrim Biznesit”

Dr. Kreshnik Bello, pedagog i Shkencave të Menaxhimit në UET

Pse në të gjithë botën, shkolla më e kushtueshme është Master në Administrim Biznesi? Çfarë avantazhi ka në tregun e punës?

Është e vërtetë që është nga masterat më të shtrenjtë dhe kjo për shumë arsye. E para do të thosha, vlera që ka kjo diplomë për tregun e punës. Të gjithë ata që përfundojnë një master të tillë janë shumë të pranuar dhe të kërkuar nga tregu i punës. Mund të punojnë në çdo kompani, në çdo biznes. Përmbajtja e këtyre masterave, strukturimi i tyre - të cilët kanë kurse që prekin të gjitha fushat që formatojnë një biznes, si; marketing, financë, kontabilitet, menaxhim etj - dhe audienca është shumë e gjerë. Mund të kesh një diplomë në fushë të caktuar, e ndryshme nga ajo e ekonomisë, ndjek një MBA dhe bëhesh shumë i pranueshëm për tregun e punës.

Nga ç’profesione vijnë njerëzit që duan të bëjnë një Master në MBA?

Vijnë nga profesione të ndryshme. Në një Master Profesional për Menaxhim mund të vijë të studiojë edhe dikush që nuk ka studiuar Ekonomik.

4.

“Marrëdhëniet Publike, tashmë profesion trendi”

Dokt.Belina Budini, pedagoge e Komunikimit dhe e kurseve Master në Marrëdhënie Publike në UET

Pse janë kaq të preferuara Marrëdhëniet publike në Shqipëri? Si mund të të ndihmojë një master profesional në këtë fushë?

Është një nga profilet studimore më të parapëlqyera. Është i thjeshtë, nuk kërkon një background studimor shumë të sofistikuar. Por ka edhe nga ata që vijnë nga të tillë backgrounde të sofistikuara. Ka nga ato kombinacionet që nuk duken aq të zakonshme. Mendoj që në Shqipëri është e preferuar, sepse kjo disiplinë nuk është studiuar më parë në tërësi. As në nivelin Bachelor, as në nivelin Master. Por nuk përbën trend vetëm në Shqipëri. Edhe në Britani, Media, Komunikimi dhe Marrëdhëniet Publike ishin nga disiplinat më popullore. Ne në UET jemi të njohur si nga më të mirët për këtë disiplinë. Kemi gjetur dy profile që përshtaten shumë me tregun që janë; Marrëdhëniet Publike politike dhe të organizatave dhe Marrëdhëniet Publike të biznesit. I kemi ndarë në dy profile të veçanta, pikërisht për të shkuar tek tregu i punës, aty ku ka më tepër kërkesë, më tepër ekspertizë. Mendoj se Masteri Profesional është më i mirë për Marrëdhënie Publike, sepse është komunikim i profesionalizuar në biznes, në politikë ose në institucione të ndryshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›