Një “mal” me emra për të drejtuar pankinën kuqezi
Jorgis Memo
Emra të njohur trajnerësh, që nisin nga kroati Luka Bonaçiç e deri te italiani Nevio Skala, janë tashmë kandidatë për të qenë në krye të pankinës kuqezi. Menjëherë pas largimit të Ari Hanit, në institucionin e futbollit shqiptar është përpiluar një listë trajnerësh të papunë, me tre a katër prej të cilëve mund të diskutohet më konkretisht gjatë këtyre ditëve. Agjentë të ndryshëm, sapo kanë marrë vesh lajmin se holandezi nuk është më në krye të Shqipërisë, kanë kontaktuar me drejtues të FSHF-së. Presidenti Armand Duka, i cili ka të drejtën ekskluzive të zgjedhjes së trajnerit, bisedoi dje me anëtarët e komitetit ekzekutiv, të cilëve, në një letër “A4”, u ishte dorëzuar lista e emrave dhe CV-të e kandidatëve për drejtimin e kombëtares. Gjithsesi, në këtë listë me më shumë se 20 emra, dallojnë një pjesë e tyre, me të cilët në ditët e ardhshme, kur dhe rrethi të ngushtohet, do të ketë diçka më konkrete. FSHF-ja nuk do që të nxitohet, edhe pse në këtë çështje ndikojnë shumë gjëra, ku më kryesorja është ana financiare, ajo teknike dhe disa kushte, në ndryshim nga e kaluara, siç është vepruar me të huajt e tjerë që kanë drejtuar Shqipërinë. “Presidenti Duka do një trajner të mirë e të lirë”, tregojnë për “Panorama” njerëz pranë kreut të FSHF-së, i cili nuk e ka fshehur dëshirën për një italian në pankinën kuqezi. Por këta të fundit kushtojnë, kështu që detyrimisht FSHF-ja është e kushtëzuar për një zgjedhje tjetër. Mësohet se anëtarët e komitetit ekzekutiv kanë shprehur në unison preferencën për t’u fokusuar te trajnerët ballkanas. Kësisoj, emrat e Bonaçiçit, Katanecit apo rumunit Jordanesku mund të shikohen me përparësi.
Emrat
Në shumicën e trajnerëve, kandidatë për kombëtaren, binin në sy kroati Luka Bonaçiç, gjermanët Evald Linen, Guido Bukvald dhe Klaus Topmëler. Lista vazhdonte me italianët Nevio Skala, Valter Novelino, Alberto Malezani apo Eugenio Fasheti. Më tej, slloveni Sreçko Katanec, anglezi Glen Hodëll, e gjithashtu rumunët e njohur, Angel Jordanesku dhe Goerge Haxhi. Këta 12 trajnerë, aktualisht pa ekip, dallojnë nga pjesa tjetër, e cila përbëhet nga emra apo CV që qëndrojnë më poshtë. Ish-trajneri i Dinamos, kroati Bonaçiç, i cili ka një eksperiencë të madhe në drejtimin e ekipeve kroate, nuk ka qenë kurrë në krye të një ekipi kombëtar. I njohur për disiplinën e tij të hekurt, e për më tepër që është një ballkanas dhe ka punuar në Shqipëri, ai e njeh mirë mentalitetin dhe futbollin këtu. Ndërkohë që në skenë del përsëri italiani Skala, që së fundmi ka drejtuar Spartakun e Moskës. Ai ka qenë kandidat edhe më parë për të marrë drejtimin e Shqipërisë, por kërkesat e tij të larta, për sa i përket anës financiare, nuk janë plotësuar nga FSHF-ja. Një tjetër emër intrigues është ai i gjermanit Klaus Topmëler, që pas drejtimit të Gjeorgjisë, aktualisht është drejtor sportiv i Kaizerslauternit. Edhe gjermani tjetër, Evald Lienen, një ish-trajner i kapitenit kuqezi Altin Lala tek Hanoveri, ka një CV të pasur me klube të Bundesligës.
Disa nga kandidatët
Luka Bonaçiç
Evald Lienen
Guido Bukvald
Klaus Topmëler
Sreçko Katanec
Nevio Skala
Valter Novelino
Alberto Malezani
Eugenio Fasheti
Glen Hodëll
Angel Jordanesku
George Haxhi