E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç lejohet të hyjë në Kosovë me kushtet e Tha

 

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka arritur të hyjë në Prishtinë pa përpiluar një kërkesë tek autoritetet e Prishtinës, me gjithë paralajmërimet e ministrit të Brendshëm kosovar një ditë më parë. Kosova ka evituar krijimin e kushteve për një skandal politik kundrejt presidentit serb, pas ndërhyrjes së përfaqësuesit të Lartë të BE-së në Kosovë, Peter Feith, i cili u ka propozuar autoriteteve në Prishtinë që ta mundësojnë vizitën e Tadiçit. Feith tha se institucionet e Kosovës janë kompetente të vendosin për vizitën e presidentit serb, por ai ka porositur autoritetet që ta kenë parasysh nevojën e relaksimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe të mundësojnë këtë vizitë, pasi ardhja e Tadiçit në Kosovë ka të bëjë me festën e pashkëve ortodokse. Prishtina ka vendosur në momentin e fundit ta lejojë vizitën e presidentit Tadiç, i cili shoqërohej me një delegacion prej 11 zyrtarësh të tjerë. E me gjithë këtë numër të madh politikanësh të pranishëm Prishtina vendosi ta cilësojë vizitën si private.
Letra e Thaçit
Përmes një letre dërguar përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Peter Feith, Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës po e lejon vizitën e Presidentit të Serbisë Boris Tadiç më 17 prill në Manastirin e Deçanit me rastin e Pashkëve Ortodokse. Thaçi tha se këtë vizitë e ka lejuar nga fakti se “ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe duke pasur parasysh se Qeveria e Kosovës e konsideron këtë vizitë krejtësisht private dhe të natyrës fetare”. Presidenti i Serbisë do të përcillet nga Policia e Kosovës në Manastirin e Deçanit për të marrë pjesë në meshën e Pashkëve Ortodoksë dhe menjëherë to të kthehet për në Serbi. “Nëse Presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 4 (1) të procedurave për vizita zyrtare të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë në Republikën e Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar”, thekson në letrën e tij Kryeministri Thaçi.
Mesazhet e Tadiçit
Mes të tjerësh presidenti Tadiç shoqërohej edhe nga ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç. Tadiç mbërriti në Manastirin e Deçanit me një helikopter të KFOR-it, ku pas ceremonisë, tha se  “Sot është e premtja e madhe për te gjithë të krishterët. Kjo është ditë e vuajtjes dhe, në të njëjtën kohë, është ditë e shpresës për të gjithë njerëzit që i përkasin krishterimit. Mesazhi im nga Manastiri i Deçanit, duke qëndruar afër lartmadhërisë së tij, kryepeshkopit Teodosije, është mesazh i paqes për serbët, për shqiptaret, për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë”, tha ai. Tadiç u bëri thirrje shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës të mos kenë urrejtje dhe të kenë besim në paqe. “Pa paqe nuk mund ta sigurojmë jetesën tonë, pa besim në paqe nuk mund të kemi jetë normale. Kjo është ditë ku s’duhet të ketë mllef dhe urrejtje. Kjo është ditë ku duhet të kremtohet festa e madhe e krishterë, Pashkët. Në të njëjtën kohë, u dërgojmë porosi serbëve dhe shqiptarëve; vetëm porosi të paqes”, tha Tadiç. Vizita e Tadiçit zgjati vetëm disa orë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›