Salihi shënon tjetër gol të “rëndë”, arrin kuotën 9
Hamdi Salihi ka realizuar dje golin e parë në fitoren 3-0 të Riedit jashtë fushe kundër LASK Linzit. Sulmuesi i kombëtares shënoi në minutën e 8-të, duke i hapur rrugën triumfit të Riedit. Pas një pasimi të marrë nga krahu i djathtë, shkodrani afër portës futi këmbën, duke e dërguar topin direkt e në rrjetë. “Shqiptari nuk i la asnjë mundësi portierit Zaglamair,”- komentonin mediat austriake për golin e Salihit. Ky i fundit, në një formë të shkëlqyer, në minutën e 34-t, për pak sa realizoi golin e dytë, por këtë herë gjuajtja nga jashtë zone përfundoi ngjitur me shtyllën pingule. Në pjesën e dytë, 25-vjeçari ishte përsëri rreziku kryesor i kundërshtarit, që për shumë minuta luajti me një futbollist më pak. Afër fundit të lojës, kur rezultati ishte 2-0, Salihi pati një mundësi tjetër për shënim. Ndërsa në minutën e 89-të, trajneri Paul Gludovatz e zëvendësoi shqiptarin, i cili fitoi duartrokitjet e tifozëve. Ky ishte goli i nëntë i tij, në 22 ndeshje të zhvilluara gjatë këtij sezoni në kampionatin austriak. Dy javë më parë, Salihi rezultoi deciziv, pasi pikërisht në ndeshjen me Altahun në transfertë, i dha barazimin Riedit. Nga sulmuesit e kombëtares, shkodrani është i vetmi “legjionar” që shënon rregullisht. Kujtojmë që sulmuesi ka rinovuar edhe për një vit kontratën me Riedin, edhe pse në drejtim të tij pati shumë oferta gjatë merkatos së janarit, e sidomos nga klube turke dhe gjermane.