E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i Ramës, PD depoziton nismën

 

BLEDAR HOTI

Partia Demokratike së bashku me Partinë Republikane depozituan zyrtarisht nismën për hetimin e kryebashkiakut Edi Rama. Të 40 firmat e deputetëve të djathtë, demokratë dhe republikanë janë depozituar zyrtarisht nga ana e deputetit të PD-së, Ferdinand Xhaferri. Komisioni hetimor duhet të ketë 3 javë kohë, ndërsa duhet të ketë nëntë anëtarë, pesë të maxhorancës dhe pesë të opozitës. Në bazë të ligjit kryetari i takon PD-së si nismëtare, ndërsa nënkryetari i takon opozitës. “Komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës, duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi, bllokimin dhe mos dërgimin e planit të ri Rregullues të Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit, dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij Plani Rregullues”, deklaroi Xhaferri. Në listën e gjatë të firmëtarëve republikanë dhe demokratë të bie në sy emri i Besnik Mustafajt, Arjan Madhit, Arjan Starovës, Aldo Bumçit, Bujar Leskajt dhe Edi Palokës. 
Akuzat ndaj Ramës
Në kërkesën prej katër faqesh, theksohet se “duke abuzuar me ligjin dhe në kundërshtim flagrant me parimet e qeverisjes në shërbim të qytetarëve, lejet e ndërtimit janë kthyer në një burim të mirëfilltë fitimi për kryebashkiakun e Tiranës dhe grupin e tij klientelist, duke krijuar kartelin e ndërtimit të udhëhequr prej tij”. “Me datën 22 mars, ditën e diel, pushimi, “Atelier 4” apo studio i Eftimëve ka paraqitur në KRRT 6 projekte, të cilat janë votuar nga vetë z.Alban Eftimiu si anëtar i KRRT-së të Bashkisë. Po në mbledhjen e kësaj date studioja e Artan Shkrelit ka paraqitur në KRRT 3 projekte, të cilat janë votuar nga vetë Artan Shkreli”, thuhet në kërkesën e depozituar. Ndërsa theksohet se është në ditën e festës së Pashkëve, në një ditë pushimi, kryebashkiaku njëherësh drejtues i KRRT së Tiranës ka thirrur një mbledhje tjetër, ku  nga 18 leje për projekte për punë publike 14 prej tyre votoheshin dhe fitoheshin nga Eftimiu. “Po në këtë mbledhje nga 12 leje për projekte punë jo publike 5 prej tyre votoheshin dhe fitoheshin nga zoti Alban Eftimiu. Nga 30 leje ndërtimit që do të jepeshin, 19 prej tyre i merrte karteli Rama-Eftemiu. Në mënyrë të papranueshme, në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt të hapur interesi, kryetari i bashkisë jep leje ndërtimi për anëtarët e kartelit të tij dhe nga ana tjetër ka bllokuar Planin e Rregullimit të Territorit. Prej gati dhjetë vitesh në mënyrë të qëllimshme Rama ka bllokuar hartimin e një plani të ri rregullues, i cili do të disiplinonte hapësirat urbane dhe do të ndërpriste masakrën urbane të dirigjuar prej tij”, thuhet në kërkesën e depozituar. Qëllimi kryesor i këtij komisioni hetimor, sipas kërkesës së paraqitur, është “hetimi i rasteve korruptive, klienteliste dhe në konflikt të hapur interesi të lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Nismëtarët e krijimit të këtij komisioni e shohin të mjaftueshme afatin prej tre javësh për të hetuar lejet e dhëna nga kryebashkiakut Edi Rama. Nëse votohet në seancë, ky pritet të jetë komisioni i dytë hetimor ndaj kryebashkiakut Edi Rama. I pari u ngrit po nga PD-ja, në vitin 2003.

Deputetët që firmosën nismën

Edi Paloka
Osman Metalla
Mehmet Xheka
Ramiz Çoba
Baki Shehi
Astrit Bushati
Arjan Madhi
Genc Juka
Gjok Vuksani
Mehmet Hoxha
Gëzim Karapici
Sali Shehu
Ferdinand Xhaferri
Ilir Bano
Blerim Çela
Albert Farruku
Arjan Starova
Pal Dajçi
Gjovalin Prenga
Safet Sula
Eris Hoxha
Besnik Mustafaj
Mevlan Xhindoli
Sami Gjergji
Genc Sharku
Ëngjëll Cara
Dashnor Sula
Luan Skuqi
Rexhep Uka
Aldo Bumçi
Flori Bajramaj
Lajla Përnaska
Parid Teferiçi
Alfred Gega
Artur Hasanbelliu
Bujar Leskaj
Arenca Trashani
Tritan Shehu
Shkëlqim Ziri
Ndriçim Babasi

Shalsi: Nisma, pazar i pisët politik

Nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi e cilësoi nismën e PD-së për krijimin e komisionit hetimor si një përbaltje ndaj Edi Ramës. “Siç e kanë zakon përpara humbjeve të bujshme elektorale, tregtarët e shpifjeve nxorën sot në pazarin e pistë të politikës së vjetër, tezgën e komisionit hetimor. Qëllimi dihet: Të mbysin me baltë njeriun që nuk e mundin dot me ide dhe argumente dhe modelin e suksesit të Bashkisë së Tiranës”, tha dje Shalsi. Ndërsa zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli ka reaguar, duke theksuar se “Rama zgjodhi ditën kur vetë mori 19 leje ndërtimi për të derdhur lot për krizën ekonomike”. “Z.Rama as me deklaratat që bën e me asgjë tjetër s’do mund të mbrosh e të heqësh vëmendjen nga karteli i mafies së ndërtimit që ti drejton”, tha Mëhilli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›