Subjektet pa licencë “deficit” bashkinë
BERAT – Rreth 500 subjekte në Bashkinë e Beratit kryejnë aktivitet të paligjshëm në qytet, duke i sjellë shtetit një dëm të konsiderueshëm. Burime nga KESH bëjnë të ditur se janë rreth 2 mijë subjekte, që kryejnë aktivitet dhe paguajnë energjinë që konsumojnë. Por në drejtorinë e Tatim-Taksave pranë bashkisë janë të regjistruara vetëm 1500 prej tyre. Diferenca prej 500 subjektesh nuk figuron e regjistruar në drejtorinë e taksave lokale. Këtë fakt e pohoi dje edhe drejtori i Tatim Taksave i sapoemëruar, Gramos Qerimeja. Sipas tij, rreth 500 biznese nuk figurojnë të regjistruara në këtë drejtori. “Pronarët e këtyre subjekteve kanë kryer aktivitet të paligjshëm. Ne jemi duke i verifikuar ato dhe bizneset e paregjistruara do të ndëshkohen”, u shpreh Qerimeja. Mësohet se për këtë qëllim, kreu i bashkisë Fadil Nasufi, ka krijuar një Task–Force për të verifikuar gjendjen aktuale në këtë sektor. Burime nga bashkia bënë të ditur se nga mosregjistrimi i këtyre subjekteve nuk janë mbyllur në arkën e bashkisë rreth 100 milionë lekë. d.xh