KRRT miraton 21 leje ndërtimi
DURRES - Pas një periudhe ndërprerjeje disamujore, ka nisur në Bashkinë e Durrësit mbledhja e KRRT-së. Në seancën e radhës e cila u kryesua nga kryebashkiaku Vangjush Dako, ky këshill miratoi 21 leje dhe 12 sheshe ndërtimi, për të cilat biznesi privat kishte shprehur kohë më parë kërkesën. Të gjitha ato leje apo sheshe nuk kishin si vendndodhje zonat preferenciale të qytetit, si qendra apo bregdeti. Por në qendër të diskutimeve nga specialistët e fushës kanë qenë edhe disa punë publike, siç është rasti i kanalizimeve tek stacioni i trenit në Durrës, zonë e cila sa herë që bie shi përmbytet. Për kërkesat që kanë lidhje me qendrën e qytetit apo atë buzë detit do të organizohet një tjetër mbledhje, më 10 shtator. o.u