Përplaset me makinë, vdes 15-vjeçari
KUKES - Një 15-vjeçar, i cili drejtonte një makinë “Wolksvagen” u përplas për vdekje dje në autostradën e re. Adoleshenti, me inicialet P.M., banor i lagjes “Drinas”, pas km larg qytetit të Kukësit humbi kontrollin, çka solli dhe aksidentin fatal. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:30, rreth 200 metër pa hyrë në urën e Drinit të Zi, në rrugën e re Rrëshen-Kukës. Viktima, ka pësuar një dalje nga korsia, në një kthesë, duke u përplasur fuqishëm nga një “Benz”, me targë të Tiranës, drejtuar nga shtetasi turk, Ali Galip Ozturk. Turku 53-vjeçar udhëtonte në drejtim të Tiranës, ndërkohë që “Golfi” vinte nga fshati në drejtim të Kukësit. Përplasja ka qenë fatale dhe i ka marrë jetën 15-vjeçarit, i cili është dërguar në spital brenda pak minutave, por pa asnjë shenjë jete. Një grup hetimor që ka shqyrtuar ngjarjen ka arritur në konkluzionin se shkak ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Sipas policisë, edhe shtetasi turk ka qenë me shpejtësi të madhe, duke mos e shmangur dot përplasjen e fuqishme. Hetimet po vazhdojnë nga policia e Kukësit për ngjarjen e rëndë. Një tjetër adoleshent u përfshi në një aksident të ndodhur dje, në sheshin “Pranvera” në Durrës. Si pasojë e përplasjes nga një motoçikletë drejtuar nga 18-vjeçari K.Gj. u aksidentua 80-vjeçari A.Sinani. I moshuari po kalonte rrugën, kur u godit nga motori. Edhe drejtuesi mori plagë, por pa pasoja. j.h/o.u